Pas tërheqjes së Contes, “5 Yjet” kërkojnë largimin e presidentit

28/05/2018 08:18

Pas refuzimit për të miratuar të gjithë kandidatët e qeverisë “Conte”, presidenti i Italisë, Sergio Mattarella përballet me thirrjet për largimin e tij nga posti.

Udhëheqësi i asaj që rezultoi si partia më e madhe politike në vend, pas zgjedhjeve të përgjithshme të 4 marsit, “5 yjet”, bëri thirrje për shkarkimin e kreut të shtetit, që i vuri veton të përzgjedhurit për të drejtuar Ministrinë e Ekonomisë.

Vendimi i Mattarellës detyroi Giuseppe Conten të tërhiqej nga përpjekja për të drejtuar qeverinë e re të Italisë.

Për Luigi Di Maion, me refuzimin e kandidatit euroskeptik, Paolo Savona, presidenti shkaktoi një krizë institucionale.

Italia është pa qeveri që prej marsit dhe, mes shumë mundimesh, u arrit një kompromis mes “5 yjeve” dhe “Lega Nord”-it, që mund ta kishte zhbllokuar situatën.

Pas tërheqjes së Contes, Mattarella është përfshirë në bisedime me ish-ekonomistin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Carlo Cottarelli, që mendohet se mund të marrë postin e shefit të ekzekutivit, me qëllimin t’i japë fund ngërçit të krijuar.

Por, pak gjasa ka që një zgjidhje e tillë të zgjasë, e në fund të kërkohen zgjedhjet e parakohshme. Di Maio kërkoi “impeachment”-in e presidentit në bazë të nenit 90 të Kushtetutës, i cili i lejon Parlamentit ta detyrojë kreun e shtetit të largohet në bazë të një shumice të thjeshtë votash.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA