Itali, pas tërheqjes së Contes mandatohet Cattarelli

28/05/2018 12:52

Ashtu siç ishte paralajmëruar në media, presidenti italian Sergio Mattarella ia besoi detyrën e krijimit të qeverisë së re ish-ekonomistit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Carlo Cottarelli.

Ai që CNN e quan “zoti gërshëra i Italisë”, për shkak të tendencës së shkurtimit të shpenzimeve, pranoi me njëfarë rezerve të ngrejë në këmbë ekzekutivin, që do të drejtojë vendin deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, duke këmbëngulur se, as ai dhe as ministrat e tij nuk do të paraqesin në asnjë rast kandidaturat e tyre.

“Do të paraqitem në Parlament për të prezantuar ligjin e buxhetit, e nëse e marr votëbesimin e tij do të dorëhiqem me të hyrë viti 2019. Në të kundërt do të largohem menjëherë, në mënyrë që zgjedhjet të mbahen pas muajit gusht”, tha Cottarelli.

Cottarelli garantoi një menaxhim të kujdesshëm të fondeve publike, duke kujtuar sesa shumë janë shtuar tensionet ditët e fundit në tregjet financiare.

“Po flet tregu në vendin e tij”, ishte komenti i menjëhershëm i themeluesit të “5 yjeve”, Beppe Grillo, që shtoi se tregu sot është sinonim i kapitalizmit më shkurajues.

Udhëheqësi politik i lëvizjes populiste, Luigi Di Maio bëri më herët thirrje për shkarkimin e kreut të shtetit, që i vuri veton euroskeptikut Paolo Savona, të përzgjedhur për të drejtuar Ministrinë e Ekonomisë. Kjo shkaktoi, sipas Di Maios, një krizë institucionale.

Vendimi i Mattarellës e detyroi të preferuarin e “5 yjeve” dhe “Lega Nord”-it, Giuseppe Conte, të tërhiqej nga përpjekja për të krijuar ekzekutivin e ri. Fill pas kësaj, Di Maio ngriti pretendimin e shkarkimit të presidentit në bazë të nenit 90 të Kushtetutës, i cili i lejon Parlamentit që me një shumicë të thjeshtë votash ta detyrojë kreun e shtetit të largohet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA