Gjermanishtja, kushti i Austrisë për përfitimet e emigrantëve e refugjatëve

28/05/2018 18:08

Koalicioni qeveritar në Austri ka zbuluar planet për shkurtimin e pagesave që përfitojnë emigrantët, përfshi edhe refugjatët, në një lëvizje që synon të frenojë flukse të reja të ardhurish.

Pagesa kryesore e përfitimeve do të jetë jo më e lartë se 563 euro në muaj, por do të rritet deri në barazimin e shumës që përfitojnë austriakët (863 euro) vetëm nëse ata kalojnë testin e gjuhës gjermane.

Emigrantëve do t’iu ndalohet gjithashtu të përfitojnë nga një ndihmë e tillë sociale për 5 vitet e para. Kancelari konservator, Sebastian Kurz, i cili bashkëqeveris me ekstremin e djathtë, është zotuar të ndjekë një linjë të ashpër ndaj emigrantëve.

Kurz bëri fushatë për zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar me angazhimet për vendosjen e një tavani përfitimesh për refugjatët dhe për të mbyllur rrugët e emigrantëve drejt Europës.

“Rregulli fundamental që ne do të prezantojmë është se, gjermanishtja do të jetë elementi kyç që do të zhbllokojë qasjen në përfitimin e plotë minimal”, tha Kurz gjatë një konference për shtyp këtë të hënë. “Kjo nënkupton se, ata që tregojnë aftësi të pamjaftueshme mbi gjuhën, nuk do të mund të marrin minimumin e plotë të përfitimit”, shtoi ai.

Gjithsesi, ky njoftim i bërë këtë të hënë e vendos Austrinë në konflikt të hapur me pjesën tjetër të Bashkimit Europian, pasi rregullat e BE-së për lirinë e vendosjes kërkojnë që qytetarët e të gjitha vendeve të trajtohen në mënyrë të barabartë.

Koalicioni qeveritar austriak, i përbërë nga Partia Popullore konservatore dhe Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë, u konfirmua në dhjetor pas zgjedhjeve të 15 tetorit, që dështuan të nxirrnin një fitues të qartë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA