Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur i gatshëm t’u përgjigjet pyetjeve të prokurorëve për lidhjet e anëtarëve të fushatës së tij elektorale me Rusinë, por një nga avokatët e tij është skeptik nëse kreu i Shtëpisë së Bardhë duhet ta bëjë këtë.
Avokati i presidentit Trump, ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Rudy Giuliani tha për CNN-in se, prokurori i posaçëm Robert Mueller dëshiron ta marrë në pyetje presidentin për dy tema kryesore: bashkëpunimin e mundshëm me Rusinë në muajt përpara zgjedhjeve, si dhe nëse u përpoq të bllokonte hetimin duke shkarkuar drejtorin e FBI-së, James Comey, i cili drejtonte hetimin, përpara se të emërohej në këtë detyrë prokurori i posaçëm Mueller.
“Me pjesën për pengimin e drejtësisë nuk ndihem komod. Unë nuk jam. Presidenti nuk e ka problem. Ai është i pafajshëm. Unë nuk jam komod me këtë, pasi është çështje interpretimi dhe jo diçka konkrete, diçka e vërtetë apo jo e vërtetë”, ishin fjalët e Guilianit.
Ish-kryebashkiaku tha se, anëtarët e ekipit ligjor të presidentit janë të shqetësuar se ai mund të bjerë në kurthin e dëshmisë së rreme, kur të jetë duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve për arsyet e shkarkimit të ish-kreut të FBI-së, Comey.
Në këtë rast, dëshmia e rreme përbën veprën penale të gënjeshtrave nën betim.
Top Channel