Forumi i Biznesit Maltë-Shqipëri, Meta merr pjesë në ditën e dytë

23/05/2018 17:41

Në vijim të vizitës dyditore në Maltë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mori pjesë në ditën e dytë të Forumit të Biznesit Maltë-Shqipëri.

Kjo ditë e dytë u çel me fjalimet e rastit të dy Presidentëve, Meta dhe Coleira-Preca.

Sipas njoftimit për shtyp të Presidencës, Meta prezantoi shkurtimisht zhvillimet ekonomike, potencialin e bashkëpunimit të biznesit dhe oportunitetet e investimeve për biznesin maltez në Shqipëri. Presidenti i Republikës theksoi se nga historia e suksesit e “modelit ekonomik” të Maltës, Shqipëria mund të nxjerrë leksionet e duhura për të fuqizuar sektorët më vital për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, siç janë turizmi, agro-industria, shërbimet financiare, ICT, etj.

Nga ana tjetër, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Gozos shfaqi interes të madh në shkëmbimin e eksperiencave me përfaqësuesit e komunitetit biznesit shqiptar dhe eksplorimin e projekteve të biznesit në tregun shqiptar dhe atë rajonal.

Në përfundim të Forumit u nënshkrua një Marrëveshje Bashkëpunimi mes Presidentit të Dhomës të Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, z. Nikolin Jaka dhe Presidentit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Gozos, z. Joseph Grech.

Presidenti Meta zhvilloi takime edhe me rektorin e Universitetit të Maltës, Prof. Alfred. J. Vella dhe me Drejtuesit Ekzekutiv të Air-Malta. Në takime u diskutua për bashkëpunimin ne fushën e arsimit me fokus kryesor programet e shkëmbimeve studentore në Maltë dhe Shqipëri si dhe mundësinë për dhënien e disa bursave në nivelin pasuniversitar për studentët shqiptar në Universitetin e Maltës.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Air-Malta shprehën interes për të vlerësuar mundësinë e vendosjes së linjës direkte mes Maltës dhe Shqipërisë.

Top Channel