Gianluigi Donnarumma duket gjithnjë e më larg Milanit. Sinjali i fundit i një lamtumire, ndoshta vendimtare, ishte pikërisht “lumi” i vërshëllimave të tifozëve kuqezi, kur folësi i stadiumit lexoi emrin e tij përpara sfidës me Fiorentinën në “San Siro”.
E megjithatë, në rrugën “Aldo Rossi” (ku ndodhet selia e Milanit) vazhdohet të flitet se ai është një “thesar” i klubit dhe se nuk duan ta shesin, pavarësisht ardhjes me kosto zero të Pepe Reinës nga Napoli.
Këtë e ka konfirmuar edhe Marco Fassone për një radio italiane. “Çështja Donnarumma është e hapur prej shumë kohësh, por shpresojmë që në fund të qëndrojë me ne. Ai është e ardhmja e futbollit italian, por në merkato dihet që ka disa rrugë që mund të ndjekësh. E rëndësishme është se, nëse vjen një ofertë e duhur dhe lojtari ta pranojë atë, atëherë Milani nuk do ta kundërshtojë. Sot për sot, për të dhe për Suson nuk kanë ardhur oferta”, shprehet administratori i deleguar kuqezi.
Ndërkohë, gjërat duket se janë shumë ndryshe nga vera e kaluar. Mino Raiola, agjenti i tij i pangopur, po punon për shitjen e portierit. Objektivi i tij është të largojë nga Milani si Gigion, ashtu dhe Bonaventurën (i cili pëlqehet nga Juventusi), e për këtë vazhdon kontaktet me Liverpoolin.
Takimi i parë ka qenë mes agjentit dhe trajnerit Jurgen Klopp. Ndërsa një takim i dytë duket se është zhvilluar mes Raiolës dhe klubit anglez, për të folur mbi të ardhmen e Donnarummës. Milani, siç dihet, pret një ofertë prej 70 milionë eurosh, gjë që do të shënonte një plusvalencë të konsiderueshme për kuqezinjtë. Por, pikërisht çmimi është edhe pengesa më e madhe.
Liverpooli nuk ka ndërmend të paguajë të plotë këtë shifër, e këtë ia ka bërë të ditur Raiolës, të cilit i kanë propozuar 40 milionë euro “cash” dhe një lojtar që do të studiohet në tryezën e diskutimeve me Milanin. Në këtë pikë nuk bien dakord Fassone dhe Massimiliano Mirabelli.
Veç portierit, dy drejtuesit kuqezinj po punojnë edhe për blerjet e reja. Reina dhe Striniç mund të quhen të tillë, edhe pse pa shpenzuar gjë; për mesfushën synohet një tjetër “i pavlerë” si Fellaini nga Manchester United, ndërkohë që për mbrojtjen pëlqehet Biraghi, mbrojtësi i majtë i Fiorentinës i rritur në akademinë e zikaltërve, pas një sezoni zhgënjyes të zviceranit Rodriguez.
Top Channel