Kategoria Superiore ka mbyllur javën e parafundit të saj, pa zgjidhur asnjë prej verdikteve të pritshme në këtë fundsezoni.


Ndeshja më drithëruese ishte ajo në Kamëz, mes vendasve dhe Laçit, dy ekipe me objektiva të kundërta, por që vendosnin veç fateve të tyre, edhe atë të Vllaznisë së Shkodrës.

Laçi kaloi në avantazh në minutën e dytë, me golin e Reginaldos, por në minutat e fundit situata u bë drithëruese, kur Kamza barazoi përkohësisht rezultatin në minutën e 85-të. Por, kurbinasit arritën të shënonin sërish dhe të fitonin këtë duel, duke bërë që Kamza të rrezikojë seriozisht rënien nga Kategoria Superiore, ndërsa Vllaznia të shpresojë ende për mbijetesën në 90 minutat e fundit të edicionit të sivjetshëm.

Në “Loro Boriçi” të Shkodrës, Vllaznia përmbysi brenda pjesës së parë avantazhin paraprak të Kukësit, me Cinarin dhe Kalanë që iu kundërpërgjigjën golit të Balde.

Një fitore kjo, që në bashkërendim me humbjen e Kamzës ndaj Laçit, u jep shpresa shkodranëve për të bërë të pamundurën për mbijetesën në 90 minutat e fundit ndaj Skënderbeut, ndërsa kamzalinjtë do të ndeshen me Partizanin.

Partizani, nga ana e tij, ka fituar 2-1 në Vlorë përballë Flamurtarit, duke mbetur jashtë zonës së kupave europiane. Luftëtari, që mposhti 3-1 Skënderbeun kampion, por me arnime në fushën e lojës, për t’i dhënë më shumë hapësirë lojtarëve të paaktivizuar shumë këtë sezon, garanton pjesëmarrjen në Europa League, ndërsa javën e fundit luan në Lushnje.

Teuta e Durrësit fitoi me goleadë ndaj Lushnjes, 6-2, duke siguruar matematikisht qëndrimin në Superiore, ndërsa lagunarët e kanë prerë prej kohësh biletën për në Kategorinë e Parë. Javën e fundit, e gjithë beteja do të fokusohet në Korçë dhe Tiranë, për ndeshjet Skënderbeu-Vllaznia dhe Partizani-Kamza.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA