Vdes në paraburgim 27-vjeçari; Familjarët: E rrahën policët. S’na lajmëruan, e çuan në morg

17/05/2018 11:25

Një 27-vjeçar vdiq në ambientet e Komisariatit të Korçës, ndërsa familjarët e prisnin në gjykatë për të marrë pjesë në seancë për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj tij.

Enea Ftoj, i dyshuar për vjedhje, u arrestua tre ditë më parë në flagrancë në qytetin e Korçës, por nuk arriti të dalë dot në gjyq, pasi humbi jetën dhe për këtë familjarët akuzojnë policinë se i ka shkaktuar dhunë fizike. Familjarët në morg mundën të fotografojnë 27-vjeçarin në sallën ku iu nënshtrua autopsisë dhe në foto dallohen disa shenja në pjesën e syrit të djathtë.

“E vranë vetë. Më tha nga muri në mëngjes se po i bënin me zor gjilpërë. Më vranë burrin! Kam 3 fëmijë që mbetën rrugëve. Çfarë t’u them unë fëmijëve?”, thotë gruaja.

Hetimi është nisur nga Prokuroria e Korçës. Tre ekspertë, dy të pavarur dhe një i Institutit të Mjekësisë Ligjore, kryen ekspertizën e trupit të pajetë të 27-vjeçarit, ndërsa priten përfundimet për të dalë në arsyet e humbjes së jetës së të riut. Prokuroria ka sekuestruar kamerat e ambienteve të komisariatit dhe dhomave të sigurisë, si dhe ka nisur marrjen e dëshmive të efektivëve të policisë që kanë qenë në detyrë gjatë mbrëmjes së të mërkurës, kur i arrestuari ndërroi jetë.

Ai ishte baba i tre fëmijëve dhe dyshohej se ishte person përgjegjës për disa vjedhje në qytetin e Korçës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA