Presidenti amerikan Donald Trump pritet të paraqesë gjatë ditës argumentet sesi mendon ta vërë në jetë planin e propozuar përpara disa muajsh për uljen e çmimit të ilaçeve.

“Ideja e presidentit është t’i bëjë më të përballueshme ilaçet me recetë”, pohojnë zyrtarë të lartë të administratës amerikane.

Nisma synon të rrisë konkurrencën e të përmirësojë përpjekjet e negociatave për çmimet e medikamenteve, ndërsa kërkon njëkohësisht të reduktojë shpenzimet që dalin nga xhepi i konsumatorëve për ilaçe, duke stimuluar uljen e çmimeve të listës së barnave.

Ndryshe nga propozimi i tij i “Buxhetit fiskal 2019”, pjesës më të madhe të veprimeve që Trumpi do të diskutojë gjatë kësaj të premteje nuk i nevojitet miratimi i Kongresit.

Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore do të marrë “një sërë veprimesh të menjëhershme” për të zbatuar planin në fjalë. Administrata do të kërkojë gjithashtu të dhëna edhe për politika të tjera që mund të zbatohen.

Por, detajet priten vetëm pas fjalimit të kreut të Shtëpisë së Bardhë. Trump e ka premtuar prej kohësh uljen e kostos të barnave, e për këtë është shfryrë edhe me prodhuesit. Ekipi i tij ka bërë disa lëvizje në këtë drejtim, megjithatë, ekspertët mendojnë se ato janë të lidhura më tepër me skajet e problemit.

Top Channel