Qeveria kërcënon ujësjellësit që nuk janë rentabël me ndërprerje të financimeve, madje kjo do të bëhet me ligj.
“Ne këtë duam ta vëmë një rregull, pra të jetë një ligj i shkruar dhe i pa shkruar. Do të thotë që ujësjellësit që do të performojnë do të marrin financime. Ujësjellësit të cilat nuk e vënë ujin në zjarr siç thotë populli apo bashkitë të cilat nuk duan të marrin rolin që ju takon ne nuk kemi pse i financojmë më”, tha Gjiknuri.
Madje kusht për rikandidimin e kryetarëve socialistë të bashkive do të jetë performanca e sektorit të ujësjellësave.
“Ne duhet t’ia bëjmë të qartë njerëzve që ata të zgjedhur vendorë që nuk marrin masa për të administruar këtë mall kaq të rëndësishëm për ta nuk ka pse edhe të kandidojë më apo nuk kanë pse të kenë mbështetjen e njerëzve”, tha ai.
Gjiknuri tha se po auditohen projekte të rëndësishme që sipas tij nuk kanë dhënë efekt dhe një nga këto është ai për rrjetin e ujërave të zeza të Tiranës, i cili financohet nga qeveria japoneze.
“Kemi projekte të dështuara si ai i Tiranës, ku e dinë të gjithë që është shpenzuar mbi 80 e ca milionë euro dhe sistemi i trajtimit të kanaleve të ujërave të zeza nuk ka përfunduar dhe rrezikon që ai projekt të mbetet në rrugë”, tha ai.
Projektet do kalojnë në sitë të Agjencisë së Ujësjellës Kanalizimeve e cila është në duart e qeverisë, me disa ndryshime ligjore ajo do të administrojë edhe sektorin e mbetjeve urbane.
Top Channel