Frika se Samiti i Sofjes mund të dështojë për shkak të Kosovës shfaqet sërish.
“Bashkimi Europian po përpiqet me finesë diplomatike të pengojë përplasjet në Samitin e Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet javën e ardhshme në kryeqytetin bullgar, por vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, – kujton “Deutsche Welle”, – kërcënojnë me bojkot”.
Grindja e vazhdueshme e tyre po hedh hije mbi përgatitjet e takimit të 17 majit, një javë përpara të cilit shenjat janë për konfrontim.
Pesë vende të BE-së, që nuk e pranojnë njohjen e Kosovës (Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja dhe Qiproja) duan ta bëjnë këtë të qartë edhe në samitin e Sofjes.
Sipas tyre, asnjë simbol në këtë samit nuk duhet të interpretohet sikur Pavarësia e Kosovës dhe shteti i saj janë të pakontestuara.
Për të mundësuar zhvillimin e samitit, siç është planifikuar, blloku po përpiqet me shumë diplomaci të zbusë tensionet. Kështu, në deklaratën përfundimtare të takimit në Sofje nuk do të flitet për vendet e Ballkanit Perëndimor, por për partnerët e Ballkanit Perëndimor.
Nga ana tjetër, edhe vendet ku do të ulen krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të shenjohen me emrat e tyre dhe jo si zakonisht me emrat e vendeve. Përmes këtyre rregullave, organizatorët shpresojnë që samiti të mos bojkotohet. Deri tani, me gjithë lëshimet e bëra, kryeministri spanjoll Mariano Rajoy ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë.
Top Channel