Sipas Kontrollit të Ministrisë së Arsimit, Rektori Mynyr Koni ka kryer edhe shkelje finnciare. Ai ka firmosur si autoritet kontraktues disa kontrata me operatorë financiare në kundërshtim me ligjin.

Në raportin që Top Channel zotëron thuhet se zoti Koni për arsye shëndetësore ja ka deleguar kompetencat zv.Rektorit Rrokaj, e megjithatë ka firmosur 2 kontrata edhe pse ka munguar në Rektorat.

“Është nënshkruar: Kontrata “Për shërbimin privat të sigurisë fizike të UT”; kontrata me objekt “Blerje, prodhim, instalim, pajisje dhe sisteme mobilimi për UT”. si dhe Kontrata ”Blerje, prodhim, instalim, pajisje dhe sisteme mobilimi për UT” në tejkalim të kompetencave. Operatorët ekonomik të cilët kanë nënshkruar këto kontrata, janë në proces gjyqësor me universitetin. Kjo mund të çoj në penalitete financiare për insitucionin, për shkak moszbatimi të procedurave të prokurimit publik.
Sipas procesverbalit të mbledhjes së Bordit të Administrimit të datës 31.03.2017, rezulton:
1. Se buxheti i sjellë nga Rektori nuk është i njejte me atë që është miratuar nga Senati Akademik.
2. Ka probleme në përmbajtje dhe nuk është shoqëruar me relacion shoqërues”, thotë raporti auditues i MAS.

Lidhur me miratimin e buxhetit të vitit 2017 dhe të këtij viti në UT, raporti rendit këto shkelje për Konin:

“Realizimi i shpenzimeve të përsonelit, të cilat paguhen nga të ardhurat e UT, për vitin 2017 eshte planifikuar 693 milion lekë dhe janë realizuar vetëm 431 milionë lekë ose 62% e buxhetit të planifikuar.

Konstatohet se edhe për vitin 2018, UT ende nuk ka miratuar buxhetin dhe nuk ka filluar procedurat e prokurimit për blerje mallrash/shërbimesh, duke shkaktuar mangësi në funksionimin operacional të institucionit”, thekson MAS.

Raporti i Ministrisë së Arsimit na njeh me shkeljet e Rektorit Koni, por nuk dimë nëse Ministria e Arsimit do të nisë një grup auditimi për periudhën para vitit 2016, kur në krye të Rektoratit ishte Dhori Kule, për të kuptuar të vertetën e konfliktit mes tyre.

Top Channel