Ruçi takohet me parlamentarët britanikë

26/04/2018 11:12

Në mbyllje të punimeve të Konferencës së Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të Bashkimit Evropian, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, pati një takim me Sir Lindsay Hoyle, zëvendëskryetar i Dhomës së Komuneve dhe Lord Xhon McFall, zëvendëskryetar i Lartë i Dhomës së Lordëve në Britani.

Në takim u theksua mundësia e pashfrytëzuar për të thelluar më tej bashkëpunimin politik dhe bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë shprehu angazhimin e palës shqiptare për ridimensionimin e nivelit të bashkëpunimit ekonomik me fokus qasjen për rritjen e volumit tregtar me Britaninë e Madhe, nxitjen dhe shfrytëzimin e të gjitha kapaciteteve dhe prezantimin e potencialeve investuese në Shqipëri.

Gramoz Ruçi i informoi përfaqësuesit e lartë të palës britanike mbi miratimin e ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë kryerjen e reformës në sistemin e drejtësisë dhe procesit të Vetting-ut në Shqipëri, ku shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për zbatimin e reformës në drejtësi, si një nga elementët kyç për avancimin e proceseve të integrimit të Shqipërisë në BE.

Pjesë e diskutimeve mes z. Ruçi dhe parlamentarëve britanikë ishte edhe bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e rendit.

Top Channel