Për Presidentin e Këshillit Europian progresi i bërë nga Shqipëria është i mjaftueshëm për hapjen e negociatave, por thotë se mbetet sfidë bindja e të gjitha vendeve anëtare për të dhënë “dritën jeshile” për këtë.
“Rekomandimi i fundit i Komisionit Europian për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit tregoi se keni bërë përpjekje të mëdha dhe po bëheni gati të nisni një prej projekteve më pozitive historike në historinë e vendit tuaj. Negociatat për anëtarësim me BE nuk janë të lehta, por mund t’ju them nga përvoja ime politike personale se ato ja vlejnë çdo përpjekje. Është në interesin më të mirë europian që Shqipëria dhe i gjithë rajoni i Ballkanit të jetë i integruar plotësisht në Bashkimin Europian. Nuk do të ndodhë brenda natës, do të ketë shumë sfida e punë të madhe gjatë rrugës, duke filluar me sigurimin e shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit të organizuar dhe reformat ambicioze të drejtësisë. Ajo çfarë keni bërë dhe dua të jem shumë i qartë, është e mjaftueshme për të çelur bisedimet për anëtarësim. Nuk ka asnjë dyshim. Një tjetër sfidë do të jetë që të binden të gjitha shtetet anëtare në qershor, për të nisur negociatat. Jam i bindur se ky proces do t’i ngjajë më shumë një gare me pengesa, sesa një autostrade, por nuk kam dyshim se integrimi i plotë mbetet fati ynë i përbashkët, BE-ja dhe Ballkani Perëndimor e kanë vendin së bashku”, deklaron kreu i Këshillit të Europës, Donald Tusk.
Në deklaratën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, Presidenti i Këshillit, pasi përgëzoi popullin shqiptar për rekomandimin e Komisionit Europian, deklaroi se vendi “do të ketë shumë sfida dhe punë të madhe, duke nisur nga shteti i së drejtës, lufta kundër krimit të organizuar dhe reforma në drejtësi”.
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama tha se integrimi kërkon kohë, ndërsa falenderoi Tusk për mbështetjen e dhënë në këtë drejtim dhe e njohu atë edhe me ecurinë e reformës në drejtësi.
“Ne do të ndërtojmë Shqipërinë europiane në Shqipëri. Është një proces që kërkon kohë dhe që e kërkon interesi i fëmijëve tanë. Me Presidentin, që është njohës i thellë i rajonit, folëm për procesin e thellimit të bashkëpunimit rajonal dhe nënvizova se ky proces transformues për rajonin është i lidhur me perspektivën europiane të vendeve të rajonit. Diskutuam edhe për ecurinë e mëtejshme të reformës në drejtësi”, u shpreh ai.
Top Channel