Milwaukee Bucks vendosi ekuilibrin në serinë e “play off”-eve të NBA-së me Bostonin. “Bucks” fituan ndeshjen e katërt në “BMO Harris Bradley Center” ndaj “Celtics”, me rezultatin 104-102, e tashmë rezultati i përballjeve me ta është 2-2.
Milwaukee i mbylli dy periodat e para 51-35, por pas pushimit të sfidës, Bostoni reagoi dhe arriti të shkurtojë diferencën e pikëve. Gjithsesi në fund ishte Milwaukee që rrëmbeu fitoren.
San Antonio ndërkohë ngre kokë dhe shtyn festën e kualifikimit të Golden State. Në “AT&T Center”, skuadra teksane iu imponua kampionëve në fuqi, duke i mundur 103-90, për ta shkurtuar në 1-3 rezultatin e serive me “Warriors”.
San Antonio ishte gjatë të gjithë kohës në udhëheqje të rezultatit, teksa më i miri në parket ishte LaMarcus Aldridge, me 22 pikë e 10 topa në tabelë, ndërsa paraqitje pozitive bënë edhe Ginobili me 16 pikë, Gay me 14, Murray me 12 dhe Anderson me 10.
Për “Warriors” nuk mjaftoi loja e shkëlqyer e Kevin Durant, që e mbylli sfidën me 34 pikë e 13 topa në tabelë, për të marrë një fitore që do ta çonte Golden State në gjysmëfinalet e Konferencës së Perëndimit.
Emocione pafund dhuroi edhe sfida mes Washingtonit dhe Torontos, në “Capital One Arena”, ku ishin “Wizards” ata që triumfuan me rezultatin 106-98, duke barazuar në 2-2 serinë me “Raptors”. Bradley Beal ishte në një formë të jashtëzakonshme, duke e mbyllur këtë sfidë me 31 pikë, ndërsa John Wall regjistroi një bilanc me 27 pikë e 14 asiste.
Ekuilibri u kthye edhe në ndeshjen mes Clevelandit dhe Indianës, në “Bankers Life Fieldhouse” të Indianapolisit. Skuadra nënkampione e NBA-së fitoi përballjen e katërt me “Pacers” 104-100, për të çuar shifrat e përballjeve me këtë skuadër në 2-2.
Për skuadrën nga Ohio spikatën Korver me 18 pikë, si dhe Clarkson e Smith me nga 12 pikë secili. Ndërsa për Indianën nuk mjaftuan 19 pikët e Sabonis dhe 17 të Turner e Oladipos, për të frenuar “Cavaliers”-at.
Top Channel