Pas pak më shumë se 6 dekadash, Partizani fiton titullin Kampion i Shqipërisë në volejboll për femra.
Në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, skuadra e drejtuar nga Roland Tarja iu imponua Barletit, teksa e mposhti në të treja sfidat finale me të njëjtin rezultat 3-1 duke kurorëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme këtë sezon fantastik.
Barleti nuk mundi dot të bëjë gjë ndaj Partizanit dhe u detyra të zbresë nga froni i kampionit. Ashtu siç kishte ndodhur edhe në 2 finalet e para, Barleti fitoi setin e parë 25-23 ndërkohë që edhe në setin e dytë kjo skuadër u duk superiore duke e kryesuar deri në 20-15.
Por, volejbollistet e Partizanit reaguan dhe përmbysën gjithçka duke shënuar 10 pikë kundrejt 3 të Barletit për të fituar këtë set 25-23 dhe për të barazuar gjendjen e tyre në 1-1.
Në setin e tretë, Partizani vendosi përfundimisht diktatin pas pushimit të parë teknik për të fituar këtë fraksion 25-19.
Seti i katërt nuk pati histori me Barletin që u duk i dorëzuar, ndërsa vajzat e Partizanit ishin të papërmbajtshme duke e mbyllur këtë set 25-11 për të festuar këtë titull në praninë e tifozëve që ishin të pranishëm në Asllan Rusi.
Top Channel