Një linjë e drejtpërdrejtë telefonike para samitit mes dy Koreve

20/04/2018 17:36

Në një tjetër hap që tregon çtensionimin e situatës në gadishullin Korean, Veriu dhe Jugu vendosën për herë të parë një linjë të drejtpërdrejtë telefonike mes udhëheqësve të të dyja vendeve.

Kim Jong-un dhe Moon Jae-in priten të takohen më vonë gjatë këtij muaji, për samitin e parë ndërkorean në më shumë se një dekadë.

Zyrtarë nga të dyja palët realizuan një telefonatë të parë prove, që rezultoi e suksesshme.

“U duk sikur po flisnim me një fqinj të afërt”, tha një zyrtar i Koresë së Jugut, sipas të cilit telefonata kishte zgjatur 4 minuta e 17 sekonda.

Linja e drejtpërdrejtë u vendos mes Presidencës së Seulit dhe Komsionit për Çështjet Shtetërore të drejtuar nga Kim Jong-uni.

Zyrtarë të shtëpisë blu të Koresë së Jugut thanë më herët se, Moon Jae-in dhe Kim Jong-un, me shumë gjasë do të zhvillonin një bisedë telefonike përpara se të takoheshin ballë për ballë.

Marrëveshja për vendosjen e komunikimit të drejtpërdrejtë telefonik u arrit muajin e kaluar, kur këshilltari i lartë i Sigurisë së presidentit koreano-jugor udhëtoi në Penian për një takim të paprecedentë me udhëheqësin e shtetit komunist.

Pikërisht gjatë këtij takimi u vendos mbajtja e samitit të tretë ndërkorean, pas atyre në vitet 2000 dhe 2007. Dy vendet mbeten teknikisht në luftë, që prej luftës koreane të viteve ’50, që përfundoi me armëpushim, ndërsa asnjëra prej palëve nuk ishte në gjendje të shpallte fitoren.

Kim Jong-un pritet të zhvillojë një takim edhe me presidentin Donald Trump në muajin qershor. Nëse do të zhvillohet, ai do të ishte i pari takim mes një presidenti në detyrë amerikan dhe një udhëheqësi koreano-verior.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA