Një gjykatë e Kombeve të Bashkuara përmbysi pjesërisht dënimin e ultranacionalistit serb, Vojislav Sheshel për krime lufte, duke e dënuar atë me vetëm 10 vite burgim. Sheshel është akuzuar për persekutim, vrasje dhe tortura gjatë konflikteve të përgjakshme të viteve ’90 në ish-Jugosllavi.
Megjithatë, vendimi i kësaj të marte i gjyqtarëve të OKB-së nuk do t’i vendosë sërish prangat radikalit serb, pasi ai e ka kryer tashmë periudhën e dënimit prapa hekurave.
“Dhoma e Apelit përmbys dënimin e Sheshelit për nxitje të persekutimit, deportimit dhe akteve të tjera çnjerëzore, siç janë edhe krimet ndaj njerëzimit”, tha kryegjyqtari Theodor Meron gjatë seancës së zhvilluar në Hagë, që vulosi vendimin për ndëshkimin e tij me 10 vite burg.
Gjyqtari, gjithsesi u shpreh se në përputhje me rregullat e gjykatës, “dënimi i Sheshelit është kryer”, pasi ai kaloi 12 vite në burg, teksa gjykohej në një tjetër proces të ish-gjykatës për krime lufte në Jugosllavi. Shesheli vet refuzoi të merrte pjesë në seancën vendimmarrëse.
Ai u dënua në mars të vitit 2016, mbi bazën e 9 akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, në një gjyq që zgjati mbi 8 vite në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë. Paneli prej 3 gjyqtarësh, i udhëhequr nga francezi Jean-Claude Antonetti tha në vitin 2016 se prokurorët “kishin dështuar të provonin përtej çdo dyshimi”, apo të ofronin prova të mjaftueshme se Sheshel ishte përgjegjës për krimet për të cilat akuzohej.
Vendimi u kritikua ashpër nga ekspertë ligjorë dhe historianë, të cilët thoshin se ai kishte rishkruar historinë e konflikteve të Ballkanit.
Top Channel