Vëzhguesit ndërkombëtarë kritikuan ashpër zgjedhjet parlamentare në Hungari, duke veçuar retorikën frikësuese dhe ksenofobike, mbulimin e njëanshëm mediatik dhe financimin e paqartë të fushatës.
Vota e së dielës i dha një fitore të madhe Viktor Orbanit, i cili tashmë do të ketë një mandat të tretë rresht si kryeministër.
Orban dhe partia e tij “Fidesz” bënë fushatë thuajse ekskluzivisht për programin që mban emigrantët jashtë vendit.
Sipas OSBE-së, retorika në fushatë ishte tej mase armiqësore dhe ksenofobike, diçka për të ardhur keq në kontekstin elektoral.
Vëzhguesit e OSBE-së thanë se fushata armiqësore elektorale kufizoi ndjeshëm hapësirën për debat thelbësor dhe nuk lejoi votuesit të bëjnë një zgjedhje të informuar, sidomos pasi televizioni publik favorizoi hapur koalicionin qeverisës.
OSBE-ja kritikoi gjithashtu përdorimin e fondeve publike për fushatat informative të qeverisë, mes të cilave postera të mëdhenj në të gjithë vendin, ku shfaqeshin radhë emigrantësh dhe fjala “Stop”.
Kritikat e ashpra të OSBE-së janë të pazakonta për zgjedhjet në një vend të BE-së, por duke parë përmasat e fitores së Orbanit dhe injorimin që ai iu bën kritikave nga jashtë, zor se do të kenë efekt në Hungari.
Analistët thonë se mandati i ri i Orbanit dhe fitorja bindëse rrisin mundësitë që ai të fitojë terren në betejën për të reformuar BE-në, ndërsa kufizon aftësinë e Brukselit për ta bërë përgjegjës për dëmtimin e demokracisë.
Top Channel