Ndalesa e dytë e botërorit të Formula 1 regjistroi suksesin e merituar të Sebastian Vettel që me pikë të plota dhe me një makinë që i përgjigjet si duhet, po kthehet në favorit për titullin kampion. Në garën numër 200 të pilotit gjerman në Formula 1, talenti i skuadrës italiane preu finishin i pari në pistën e Sakhir në Bahrein, duke lënë pas krahëve në shkretëtirë, dyshen e Mercedes, Bottas dhe Hamilton.
Ferrari ishte e papërmbajtshme ashtu si në garën e Melburnit, ndërsa strategjia për të mos u ndalur me gomat e buta pas xhiros së 21 ishte një bast i rrezikshëm që dha rezultate impresionuese. Nëse nuk do të ishte për aksidentin e Kimi Raikkonen në bokse që solli frakturën në këmbë të një inxhinieri, skuadra italiane ndoshta do të kishte marrë më shumë.
Klasifikimi tashmë flet në favor të Ferrarit që nuk fitonte dy garat e para të një botërori që prej vitit 2004. Asokohe në timon ishte një legjendë si Michael Schumacher, dhe në atë vit erdhi titulli kampion.
Supersticiozët në kampin e markës së Maranello’s po shpresojnë se në Kinë pas 7 ditësh do të vijnë të tjera konfirmime, e bashkë me to, do të nisë dhe distancimi i kampionëve në fuqi të Mercedes.
Top Channel