Juventusi është rikthyer te fitorja, teksa në ‘Allianz Stadium’ të Torinos, ka mposhtur Milanin me rezultatin 3-1. Bardhezinjtë janë shkëputur edhe njëherë +4 pikë nga Napoli, ndërsa i kanë shkaktuar Milanit humbjen e parë pas më tepër se 3 muajsh në kampionat.
Bardhezinjtë gjetën shumë shpejt avantazhin, që në minutën e 7’, kur Paulo Dybala befasoi Donnarummën me një goditje nga jashtë zonës, me topin që u ndal në rrjetë.
Milani tentoi reagimin dhe fitoi metra në fushë, ndërsa goli i barazimit erdhi në minutën e 28’. Calhanoglu ekzekuton një goditje nga këndi dhe topin e dërgon në rrjetë pikërisht ai, kapiteni i Milanit, Leonardo Bonucci.
Ish mbrojtësi i bardhezinjve, gjeti mënyrën më të mirë për t’u ‘hakmarrë’ ndaj ish ekipit të tij, duke shënuar dhe festuar poshtë tribunës së Milanit. Pjesa e dytë nis më mirë për Milanin, që i afrohet edhe golit të dytë, por traversa dhe Buffon ndalin turkun Calhanoglu dhe Suson për të shënuar.
Më pas rizgjohet Juventusi, që gjen golin e avantazhit me anë të të rikthyerit nga dëmtimi, Cuadrados. Kolumbiani u harrua në zonë, pas një krosimi të Khedirës dhe dërgoi topin në rrjetë, pas një gjuajtjeje të bukur me kokë.
Gattuso luan gjithçka për barazimin dhe hedh në fushë Cutronen, por golin e bën sërish Juventusi. Këtë herë është Sami Khedira që shënon një gol spektakolar dhe çon shifrat në 3-1, duke mbyllur takimin.
Me këtë fitore Juventusi blindon pozitat në krye të renditjes, teksa kur kanë mbetur edhe 8 javë nga fundi, janë në kuotën e 78 pikëve, 4 më tepër se Napoli i vendit të dytë. Nga ana tjetër, kuqezinjtë kanë shkuar edhe njëherë 8 pikë larg zonës Champions, ndërsa derbi do të jetë deçiziv për këtë objektiv.
Top Channel