Mbrëmja e radhës në NBA pa të gjitha skuadrat e mëdha të zbresin në parket, një prej të cilave ishte edhe Toronto.
Në “Air Canada Center”, “Raptors”-at u përballën me Denverin, ndaj të cilit hasën në shumë vështirësi, por në fund arritën të fitojnë 114-110.
Toronto kishte diçka më shumë në këtë përballje, por Denveri ishte gjatë të gjithë kohës aty, pranë saj, kjo edhe falë Nikola Jokiç, që shënoi 29 pikë, dhe Paul Millsap, me 20 pikë.
Por në fund, fitorja i buzëqeshi Torontos, për të cilën DeRozan, Valanciunas e Van Vleet e mbyllën sfidën me 15 pikë, ndërkohë që dhanë kontributin e tyre edhe lojtarët rezervë, që së bashku shënuan 53 pikë kundrejt 29 të atyre të Denverit.
Golden State vazhdon të ketë probleme të mëdha pa yjet e tij. Kampionët e NBA-së, këtë radhë u gjunjëzuan në “Oracle Arena” përballë Indianës, ndaj së cilës humbën 81-92.
Indianës i mjaftoi një lojë perfekte vetëm në periodën e parë, për të mundur atë që ka mbetur në këtë moment nga skuadra që triumfoi vitin e kaluar. Victor Oladipo ishte shënuesi më i mirë për Indianën, me 24 pikë, por mjaft mirë u paraqit edhe Bogdan Bogdanoviç, me 17 pikë, dhe Young, me 10 topa në tabelë.
Sfida mes Clevelandit dhe Miamit, kohët e fundit ka qenë e veçantë. Këtë radhë fituese doli skuadra nga Florida, që triumfoi me rezultatin 98-79, ndërsa LeBron James nuk mundi dot të bëjë gjë për ta ndalur atë.
Në ndeshjen e zhvilluar në “American Airlines Arena”, ku luajti për 4 sezone, LeBron James shënoi vetëm 18 pikë personale, ndërkohë që skuadra e tij e “Cavaliers”-ave ishte gjithnjë në ndjekje të rezultatit kundrejt “Heats”-ave.
Johnson e Richardson shënuan 15 pikë për Miamin, por figurën më të mirë për këtë ekip e bëri Kelly Olynyk, që e nisi ndeshjen nga stoli, duke shënuar 19 pikë. Dwayne Wade shënoi vetëm 12 pikë, por vlen të theksohet se bëri 4 bllokime, dy nga të cilat kundrejt mikut të tij LeBron.
Top Channel