Treni i gjelbër i Kim Jong-unit nuk ishte një spekulim. Pas zërave disaditore, Kina dhe Koreja e Veriut e konfirmuan vizitën e udhëheqësit koreano-verior në kryeqytetin kinez, udhëtimi i parë ky jashtë kufijve për të, që prej marrjes së postit në vitin 2011.
Kim ka zhvilluar me presidentin kinez, Xi Jinping, bisedime të cilësuara të suksesshme nga agjencia kineze e lajmeve “Xinhua”, e sipas disa raporteve në mediet britanike është shprehur i gatshëm të takohet tani, ashtu siç flitet, edhe me shefin e Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump.
Të njëjtat burime pretendojnë gjithashtu se, në Kinë, udhëheqësi koreano-verior ka shprehur angazhimin për denuklearizimin e vendit të tij, nëse Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut japin shenja vullneti të mirë.
Pekini duket se ka pranuar ta mbështesë fqinjin e tij, nëse tensionet nukleare në rajon qetësohen.
Gjatë vizitës në Kinë, Kim Jong-un shoqërohej nga e shoqja, Ri Sol-ju.
Rrugëtimi vjen vetëm pak javë pasi Trumpi pranoi ftesën e Kimit për një takim ballë për ballë dhe analistët mendojnë se udhëheqësi koreano-verior mund ta ketë pasur të nevojshme një konsultë me aleatin tradicional të vendit, e njëkohësisht partnerin e tij më të madh tregtar, përpara se përballja me presidentin amerikan dhe atë koreano-jugor, Moon Jae-in, të ndodhë vërtet.
Kim Jong-un pritet të takohet me Moon Jae-in në muajin prill, e me Trumpin në maj.
Top Channel