Ivan Krastev, New York Times – Zgjedhjet presidenciale që u mbajtën në Rusi javën e shkuar përfunduan me një fitore mbresëlënëse, por jo të papritur, të Vladimir Putinit. Ai u zgjodh për një mandat të katërt me një rezultat që dukej më i thelli në historinë e zgjedhjeve ruse (ose të paktën asaj që ndodh ditën e zgjedhjeve).

Këto zgjedhje janë më shumë se thjesht për të rivendosur Putinin në Kremlin. Ato sinjalizonin nisjen e Rusisë pas Putinit. Kjo, sepse pavarësisht popullaritetit që mori me aneksimin e Krimesë dhe me përballjet ndaj perëndimit, vlefshmëria e mandatit pasues ka për t’u caktuar nga siguria që do t’u japë rusëve se regjimi i tij do të mbetet edhe kur ai të mos jetë më në Kremlin.

Roli i Putinit në imagjinatën e sotme të publikut rus është i ngjashëm me atë të udhëheqësve pas-kolonialë, si çlirimtarë të kombit, në vitet 1960 dhe ’70. Ai shihet si themeluesi i shtetit të ri, shpëtimtari i dinjitetin të rusëve dhe personi që u rimëkëmbi statusin si superfuqi. Ndryshe nga ç’fantazojnë perëndimorët, të rinjtë rusë nën 25 vjeç i ka mbështetësit më të mëdhenj.

Jo vetëm që e votojnë, por shumë prej tyre duan të jenë si ai. 76% e rusëve të moshës 18 deri në 30 vjeç e shohin punën për shërbimet sekrete si “shumë cilësore”, në krahasim me 59% të atyre që janë mbi 60 vjeç. Siç vërejnë analistët Andrei Kolesnikov dhe Denis Volkov, brenda publikut rus nuk ka asnjë diskutim për Putinin.

“Asnjeri nuk e vë në dyshim ligjshmërinë e tij si president”, shkruan në një artikull të fundit për Carnegie Moscow Center. “Është si një portret i përhershëm në mur që nuk mund të hiqet më”.

Pyetja është se ç’do të ndodhë me ata që s’e kanë portretin në mur? Në vitin 2011, revista “Russian Reporter” botoi një studim të elitës ruse që thoshte se treguesi më i rëndësishëm se do të anëtarësoheshe në qarqet elitare (300 vendet më të larta të qeverisjes), ishte nëse e njihje Vladimir Putinin që para se të bëhej president. Si përfundim, këto 18 vite Rusia është qeverisur nga një rreth i ngushtë miqsh.

Nuk ka asnjë shenjë që të tregojë se presidenti ka ndërmend ta heqë pushtetin nga ky rreth miqsh. Por është e qartë që kërkon ta hapë sistemin për besnikë që vijnë nga jashtë, sidomos më të rinjtë në moshë, në mënyrë që të rriten gjasat për mbijetesën e grupit. Është gati të ofrojë ndryshime shoqërore, që të zëvendësojnë mungesën e ndryshimit politik.

Kur bën plane për të ardhmen, ndryshe nga Boris Yeltsin, Putin nuk mendon për një individ që ta pasojë, por për një brez që do t’i pasojë. Ai parashikon ta kalojë pushtetin nga brezi i tij te “brezi i Putinit”, që përbëhet nga politikanë të formuar dhe të rritur në moshë gjatë udhëheqjes së tij. Ky proces ka nisur që tani: pak muaj para zgjedhjeve, nëntë politikanë të rinj u caktuan si guvernatorë rajonalë.

Putin shpreson se ky brez do të ruajë arritjen e tij më të madhe: rikthimin e Rusisë si superfuqi,  me kapacitetin dhe vendosmërinë për t’i bërë ballë SHBA-ve. Për Putinin, pavarësia në politikën e jashtme nuk është instrument, por qëllimi madhor.

Ky grup i ri përfshin teknokratë të rinj me formime dhe përvoja të ndryshme, por që kanë një gjë të përbashkët: besnikërinë ndaj regjimit, duke pranuar edhe mangësitë e tij. E shohin veten më shumë si persona që zgjidhin kriza, se sa si udhëheqës vizionarë. Ata i besojnë teknologjisë dhe janë mosbesues ndaj politikës. Dinë t’i vënë në zbatim udhëzimet e Putinit, por nuk dinë si ta kundërshtojnë presidentin.

Trajnuesi i tyre është Sergei Kiriyenko, shembulli konkret i një reformatori të ri liberal, sot zv/Drejtor i Kabinetit të Administratës Presidenciale, i cili ka qenë kryeministër që në moshën 36-vjeçare, në vitin 1998, i emëruar nga Presidenti i atëhershëm rus, Boris Yeltsin. Kontrasti midis reformatorëve të rinj të Yeltsin-it në fund-vitet 1990 dhe teknokratëve të rinj të Putinit është shumë i madh.

Reformatorët e Yeltsin-it kishin një profil politik shumë të qartë: ishin liberalë, pro-perëndimorë dhe vepronin si një ekip i vetëm, duke mbështetur njëri-tjetrin fuqimisht. Kishin ambicie politike dhe e shihnin njëri-tjetrin si pjesë e një force politike, pavarësisht lidhjeve me Kremlinin. Teknokratët e rinj të Putinit, ndryshe nga të parët, janë ekspertë logjistike pa bindje politike dhe pa besnikëri ndaj ndonjë grupi votuesish. Nuk janë ekip dhe nuk i dalin në mbrojtje njëri-tjetrit.

Deri kohët e fundit, pyetja që ngrihej pas çdo zgjedhjeje në Rusi ishte se kush do të mbizotëronte në Kremlin: modernizuesit e stilit perëndimor, apo konservatorët kundër perëndimit? Kjo pyetje nuk ka më rëndësi.

Zotërimi i anglishtes, diplomimi në Harvard dhe përvoja e punës në kompani të mëdha perëndimore nuk është më tregues për pikëpamjet politike të udhëheqësve të ardhshëm të Rusisë. Teknokratët e brezit të ri të Putinit kanë stil perëndimor, por janë kundër perëndimit.

Ndryshimet e përgjithshme në realitetin rus na tregojnë pak për të ardhmen e regjimit, sepse Presidenti Putin është vlera e tyre më e madhe, por edhe e meta më e madhe. Ai e mbizotëron skenën politike aq shumë, sa emëron në krye vetëm njerëz me ambicie modeste, që dinë të punojnë mirë për presidentin, por që nuk bëhen dot presidentë.

Ironia është që Putini po i vendos këta teknokratë si alternativë ndaj përpjekjes së dështuar për të lënë kryeministrin e sotëm, Dimitri Medvedev, si pasardhësin e tij. Por dhe brezi i ri i Putinit është thjesht një Medvedev kolektiv. Për sa i përket ecurisë me planet për se si do të duket Rusia pas Putinit, presidenti është ende në hapat ku ndodhej kur vendosi Medvedevin në Kremlin dhe më pas vendosi të rikthehej vetë.

Ivan Krastev është kryetar i Qendrës për Strategji Liberale, anëtar i përhershëm i Institutit për Kërkime Njerëzore në Vjenë, si dhe shkrimtar. Libri i tij më i fundit është “After Europe”.

Top Channel