Australia iu bashkua listës së vendeve që po dëbojnë diplomatët rusë, si pjesë e përgjigjes globale ndaj helmimit të një ish-agjenti të Rusisë në Mbretërinë e Bashkuar.

“Ngjarja e turpshme e Salisburyt ishte një sulm ndaj të gjithëve ne”, deklaroi kryeministri australian, Malcolm Turnbull.

Arsyeja zyrtare e vendimit të Australisë është se personat në fjalë janë identifikuar si oficerë të padeklaruar shërbimesh sekrete.

Mbi 100 diplomatëve rusë iu është kërkuar të largohen nga 20 vende, në shfaqjen e paprecedentë të mbështetjes për Britaninë, të cilin kryeministrja Theresa May e përshkroi si “dëbimin më të madh kolektiv të oficerëve rusë të kundërzbulimit në histori”.

Zelanda e Re deklaroi se do të bënte të njëjtën gjë, nëse do të kishte gjetur në tokën e saj individë që të përmbushnin profilin e spiunit.

Shqipëria u bë një ditë më parë pjesë e nismës, me largimin e Vladislav Filipov, atashe ushatarak, dhe Aleksey Balashov, sekretar i parë i Ambasadës ruse në Tiranë.

Vendimin e bëri me dije Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, e cila thirri ambasadorin e Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë, Aleksandër Karpushin. Nga dy diplomatë rusë kanë dëbuar edhe Australia, Danimarka, Holanda, Italia e Spanja; nga një Maqedonia e Norvegjia; 1-4 disa vende të tjera të BE-së; ndërsa listën e kryesojnë Shtetet e Bashkuara me 60.

Britania vet dëboi 23 të tillë në fillim të muajit. Indinjata e Perëndimit buron nga vet natyra shokuese e sulmit, i konsideruar si e para herë që përdoret armë kimike në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore, me përfshirjen e një substance vdekjeprurëse në një zonë të populluar, që rrezikon një numër të madh pjesëtarësh të komunitetit.

“Rusia këtë herë e teproi shumë”, citohet të ketë thënë kryeministri danez, Lars Lokke Rasmussen. “Një atentat ndaj jetës së një personi, në një qytet europian, me gaz nervor rus. Është krejtësisht e papranueshme”, shtoi ai.

Lëvizjet e koordinuara tërbuan Moskën, që i akuzoi aleatët perëndimorë se po ndjekin verbërisht parimin e unitetit euroatlantik në dëm të mendimit praktik, normave të dialogut të qytetëruar ndërshtetëror dhe parimeve të ligjit ndërkombëtar.

Top Channel