Në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste, e zhvilluar me dyer të mbyllura, kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla mësohet të ketë prekur çështjen e akuzave të Partisë Demokratike në adresë të deputetit Alket Hyseni, për çështjen e pronave në Dhërmi. Ai ka thënë se deputeti duhet të sqarojë situatën e tij.
Pak ditë më parë, Irini Bua, një banore e Dhërmiut, denoncoi publikisht në Top Channel grabitjen e tokës në bregdet. Gruaja e bëri këtë denoncim në emisionin “Të Paekspozuarit”, në Top Channel. “Gjithë prona është 22 mijë metra, 11 mijë metra i ka marrë Alket Hyseni, 11 mijë metrat e tjera janë ndarë mes Arjan Hasanit, Ilia Tako dhe Gent Malkos”, tregoi Irini Bua ekskluzivisht për Top Channel.
Ndërkohë, në mbledhjen e grupit socialist, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të zhvillohen analizat 6-mujore të çdo ministrie, për të parë se çfarë është bërë e çfarë çalon nga puna e qeverisë deri tani.
Mësohet gjithashtu se deputetët e PS-së janë nxitur që të ndjekin me vëmendje çështjen e financimit rus.
Porosi u është dhënë deputetëve edhe për t’u shpërndarë nëpër zona, duke u kërkuar që të jenë aktivë dhe të mos rrinë me mendimin se zgjedhjet janë larg, por të punojnë në territor.
Top Channel