Xhafaj kërkon një agjent të FBI-së për të asistuar strukturat hetuese shqiptare

24/03/2018 17:22

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj takoi zv/drejtorin e FBI-së në ditën e tretë të vizitës së tij zyrtare në Uashington. Në këtë takim, u parashtrua kërkesa e Ministrit të Brendshëm për shqyrtimin e mundësisë për dërgimin në Shqipëri të një agjenti me kohë të plotë nga FBI-ja, për të asistuar strukturat e hetimit në Polici.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, Xhafaj theksoi rëndësinë dhe domethënien që ka bashkëpunimi me këtë Agjenci, sidomos me zyrën përfaqësuese në Sofje të Bullgarisë, në përpjekjet e vendit tonë për forcimin e zbatimit të ligjit dhe luftës kundër kriminalitetit.

Për më tepër, zbatimi i reformës në drejtësi, ngritja dhe fillimi i funksionimit të institucioneve të reja në luftë kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit rrisin rëndësinë e bashkëpunimit dhe ndarjes së përvojës me FBI-në.

Ministri u shpreh se parimet, vlerat dhe standardet e FBI-së janë model dhe njëherësh inspirim për oficerët e strukturave të hetimit në Policinë e Shtetit. Përfaqësuesit e FBI-së u njohën me sfidat më të rëndësishme me të cilat po përballet aktualisht Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, si lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, korrupsionit, terrorizmit, por dhe nevojës për forcimin e integritetit, standardeve dhe kulturës së punës së organizatës së Policisë.

Në njoftim lexohet më tej se, zëvendësdrejtori i FBI-së deklaroi së pari se Shqipëria nuk është si vendet e shumta që ai ka parë gjatë përvojës së konsiderueshme, ku konstatohen probleme të theksuara të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Për më tepër, duke vlerësuar reformat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare për reformimin e Policisë dhe veçanërisht procesin e Vetting-ut, z.Bowdich konstatoi se vlerat dhe standardet, mbi të cilat mbështeten këto reforma reflektojnë ato të ndjekura nga FBI. Ai shpjegoi gjerësisht si realizohet procesi i shqyrtimit të aplikimeve, hetimit të background-it dhe aseteve, testimit dhe deri në fazën e nënshtrimit ndaj poligrafit. Ky proces aplikohet periodikisht, çdo 5 vjet. Duke marrë parasysh kohën, energjitë, burimet njerëzore dhe financiare që kërkon procesi i verifikimit të integritetit të çdo punonjësi, z.Bowdich vlerësoi nismën e Ministrit të Brendshëm për Vetting-un në Polici, si një kontribut të çmuar për përmirësimin e kulturës së organizatës policore në Shqipëri.

Top Channel