Sezoni i ri i Champions League do të jetë edhe më i pasur. Duke nisur nga ai i edicionit të ardhshëm 2018-2019, pjesëmarrja në kompeticionin më prestigjioz për klube do t’u rrisë atyre të ardhurat, duke parë rritjen me 35% të shpërblimeve.
Për klubet parashikohet të shpërndahen plot 1.9 miliardë euro. E sjellë me një shembull konkret, 4 skuadrat italiane që do të marrin pjesë do të kenë një fitim të garantuar prej 15 milionë eurosh, krahasuar me 12.7 që marrin aktualisht.
Çdo fitore në vijim të kompeticionit do të vlejë tashmë dyfish, por rritje do të pësojë edhe çdo kualifikim nga raundi në raund.
Çdo fitore do të vlejë 2.7 milionë euro, nga 1.5 mln që merren aktualisht, ndërsa kualifikimet për në 1/8-at e finaleve, çerekfinale e gjysmëfinale do të paguhen respektivisht me 9.5 mln euro, 10.5 mln euro dhe 12 mln euro (nga 6, 6.5 dhe 7.5 që janë aktualisht).
Një tjetër risi do të jetë ndarja e burimeve. Grupi i marketingut, proporcional me vlerën e të drejtave televizive do të ndikojë vetëm 15% të të ardhurave, shpërblimet nga rezultatet 30%, pjesëmarrja 25%, ndërsa pjesa tjetër e mbetur prej 30% do të vijë nga rezultatet historike.
Ky i fundit është një nga zërat financiarë që do të motivojë edhe më shumë Milanin, që në rast se do të kualifikohej, do të merrte shumë më shumë sesa të tjerët (përveç Realit të Madridit), falë 7 titujve kampionë që mban në “palmaresin” e tij, 3 prej të cilave në epokën e Championsit.
Top Channel