Ajo quhet “Lugina e çarjes së madhe” dhe zhvillimet e fundit tregojnë fare qartë se këtë emër e ka merituar.

Pas shirave të dendura dhe aktivitetit të lartë sizmik, toka u hap në zonën e Saswas në Kenia, duke krijuar një çarje prej rreth 10 km, me thellësi dhe gjerësi që variojnë nga disa metra në dhjetëra metra.

“Lugina e çarjes së madhe” është një depresion gjeografik, që nis nga kepi i Afrikës e shkon deri në Mozambik, duke ndarë këtë pjesë të kontinentit nga pllaka tektonike afrikane.

Një pjesë e gjeologëve mendojnë se, pikërisht përgjatë kësaj krisjeje Afrika do të ndahet në dy pjesë, “por nuk kemi pse shqetësohemi ende”, sepse kjo supozohet të ndodhë pas rreth 50 milionë vitesh.

Sidoqoftë, e çara e formuar rishtazi është problem aktual për banorët e zonës Saswa, pasi veç disa ndërtesave të dëmtuara që janë evakuuar, është shembur edhe një pjesë e autostradës Nairobi-Narok, duke krijuar mjaft trafik.

Autoritetet lokale kanë mbushur pjesën e rrugës me inerte, duke zgjidhur përkohësisht situatën. Ekspertët thonë se problemi do të vijë duke u përkeqësuar, pasi pllaka somaleze i largohet asaj afrikane me rreth 2.5 cm në vit, gjë që siç e tregoi krisja e fundit nuk shkon aspak mirë me infrastrukturën.

Top Channel