Mbjellja e pemëve deri më 22 prill, Veliaj: Mbajtëm premtimin e 100 mijë pemëve

22/03/2018 13:08

Bashkia e Tiranës ka mbajtur premtimin e dhënë për mbjelljen e 100 mijë pemëve të reja deri në 21 Mars.

Falë angazhimit të shumë qytetarëve, qindra bizneseve e donatorëve që iu bashkuan këtij aksioni, numri i pemëve të mbjella deri më tani ka shkuar në 108.328. I pranishëm në mbjelljen e pemëve të reja në liqenin e Farkës, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se për shkak të numrit të lartë të qytetarëve dhe të kompanive që janë regjistruar në listë pritje për të dhuruar pemë, aksioni për mbjelljen do të vijojë deri më 22 prill.

“Duke parë motin dhe faktin që ka ende shira, do ta shtyjmë deri në datën 22 prill fushatën tonë të mbjelljeve, që t’i japim mundësi kujtdo që e la të mbjellë pemë në ditën e fundit. Deri në datën 22 prill, që është Dita e Tokës, do të vazhdojmë që të tejkalojmë akoma më shumë rekordin e 100 mijë pemëve. Kështu që, për të gjithë ata që janë mërzitur duke parë mbjelljet, ta ndryshojnë stacionin, ndërsa ne të tjerët do të vazhdojmë të mbjellim pemë deri në datën 22 prill që të kemi një Tiranë fantastike dhe më të gjelbër”, tha Veliaj.

Veliaj iu përgjigj edhe skeptikëve të cilët nuk besonin fillimisht se Tirana do të niste një epokë të re për kujdesin ndaj mjedisit. “M’u kujtua historia e këndit të lojërave, e cila ishte një histori e ngjashme, një sherr e shamata, këtu do bëhet nami, hataja dhe po të shohësh, shumë nga këta që e quajnë veten “ambientalistë”, vërtet mund të kenë diploma ambientalisti, që nuk i kemi ne që merremi me punë të tjera, por nuk mbillen pemët duke ndenjur përditë në studio e duke bërë si gjithologë e duke protestuar për çdo vepër të mire”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se nëse ekziston vullneti dhe dashamirësia, shqiptarët mund të jenë super qytetarë europianë

Një lajm të mirë kryetari e dha edhe për të gjithë të apasionuarit pas natyrës dhe për banorët e Farkës, duke deklaruar se kjo zonë e cila dy vite më parë ishte e mbuluar nga plehrat, do të jetë një tjetër hapësirë e gjelbër e kryeqytetit sikurse është tashmë Parku i Madh i Liqenit Artificial.

“Përpara dy vjet e gjysmë ku vend ishte një landfill I madh. Vetëm plehra në gjithë brigjet e liqenit të Farkës. Nuk mbinte fija bari, jo kaq pemë. Sot ka një shëtitore. Sot janë mbjellë mijëra pemë vetëm në këtë stacion që kanë qenë një nga qindra stacionet ku janë mbjellë pemë. Unë jam I bindur se gjenerata e vogëlushëve që janë këtu kur të vijnë në moshën tonë do të kenë një park të ri të liqenit të Farkës që do të ngjajë siç është Parku i Tiranës sot”, tha ai.

Vetëm sot në kryeqytet u mbollën 6886 pemë të reja, prej të cilave shkurre 2000; pisha 3190 si dhe 1696 pemë të tjera. Në total numri i pemëve të reja të mbjella në këtë fushatë arrin në 108328.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA