Ironia e Ambasadës Ruse me Tiranën: Ndihmoni Britaninë me prova për sulmin kimik!

22/03/2018 17:58

Më 20 mars Ministria shqiptare për Europën dhe Punët e Jashtme u solidarizua me britanikët kundër Rusisë, përmes një deklarate titulli i së cilës flet për “sulm kimik të Rusisë kundër Britanisë së Madhe”.

Ky titull nuk është më në faqen zyrtare të Ministrisë, por deklarata po. Ambasada ruse në Tiranë ka reaguar ndaj deklaratës, në të cilën dënohet ashpër sulmi me një agjent nervor ushtarak, i një lloji të zhvilluar nga Rusia, kundër Sergei dhe Yulia Skripal në Salisbury të Britanisë së Madhe më 4 mars.

Ambasada ruse në reagimin e saj është kapur veçanërisht tek titulli i mëparshëm që fliste për sulm kimik të Rusisë kundër Britanisë së Madhe. Përmes ironisë ambasada u jep “vlerësimin maksimal specialistëve të Ministrisë” sonë dhe thotë se nuk ka arsye për të dyshuar se formulimi i deklaratave zyrtare prej tyre bëhet me “përgjegjshmëri”.

“Prandaj kemi arsye të besojmë që kolegët tanë shqiptarë duhet të kenë prova të implikimit të Rusisë në helmimin e Sergei Skripalit dhe vajzës së tij Julia”, thuhet në reagimin me nota të forta ironie të Ambasadës ruse.

Por, ironia ruse sa vjen e theksohet për këtë çështje që ka tensionuar fuqitë e mëdha për të cilën ka viktima, por ende jo prova.

“Siç dihet, Britania e Madhe, e cila ka ngritur disa akuza të rënda kundër Rusisë lidhur me incidentin në Salisbury, vazhdon të refuzojë me kokëfortësi të tregojë prova dhe të zbatojë procedurat e aprovuara ndërkombëtare, përfshirë edhe në kuadër të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike. Kjo do të thotë me të gjitha gjasat që Londra nuk ka asnjë provë të përfshirjes ruse dhe në këtë situatë, kur i gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe në veçanti Rusia kërkon me të drejtë një hetim sa më të shpejtë të tragjedisë, informacioni që zotëron pala shqiptare dhe në bazë të të cilit është përgatitur deklarata e lartpërmendur e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme është me rëndësi kritike për zbardhjen e situatës dhe identifikimin e autorëve të ngjarjes”, thuhet në reagimin e ambasadës ruse.

Nëse pala shqiptare nuk ka argumente të forta e të mjaftueshme, sipas ambasadës ruse deklarata është ose paaftësi, ose manipulim i qëllimshëm i opinionit publik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA