“Dhuro kohë, rrëmbe buzëqeshje” vijon…
Nisma e Shërbimit Kombëtar të Rinisë dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, sot ka udhëtuar drejt shkollës së Krrabës, duke u dhuruar fëmijëve plot momente të veçanta, shumë libra dhe piktura.
I ftuari special i kësaj jave ishte aktori i mirënjohur i emisonit të humorit “Portokalli”, Gazmend Paja, shoqëruar nga drejtoresha e SHKR-së, Lorena Haxhiu, të cilët në fjalën e tyre i inkurajuan fëmijët që të punojnë shumë, që në të ardhmen të bëhen dikushi në jetë.
Gazi improvizoi së bashku me fëmijët lojëra dhe pjesë humoristike, nga rolet e tij në spektaklin e humorit “Portokalli”.
Ndërsa, të apasioniarit pas pikturës, së bashku me studentë të Akademisë së Arteve pikturuan në telajo për disa minuta dhe më pas ndoqën performancat e studentëve.
SHKR dhe MASR dhuruan libra për bibliotekën e shkollës, duke marrë në këmbim buzëqeshjet e nxënësve, të cilët janë shumë të apasionuar pas leximit.
Nisma e SHKR, “Dhuro kohë, Rrëmbe buzëqeshje”, do të udhëtojë në të gjithë Shqipërinë.
Top Channel