Juve e Napoli, “hija” e Botërorit mbi titullin në Serie A

20/03/2018 17:25
Foto ilustruese, Hysaj dhe Insigne dy futbollistë të Napolit.

Në kohën kur gjysma e kombëtareve të globit po përgatiten për ndeshjet miqësore, klubet europiane më të mëdha të futbollit po bëjnë llogaritë sesi mund ta marrin veten pas të ashtuquajturit “virus” të FIFA-s.

Dëmtimi i lojtarëve apo kthimi në klubet respektive në gjendje jo të mirë mund të ndikojë në finalen e sezonit për kontinentin e vjetër.

Juventusi dhe Napoli, dy skuadra që luftojnë për titullin në Serie A, janë nga më të prekurit, për shkak të eksodit të lojtarëve me përfaqësueset.

“Zonja e vjetër” ka plot 14 futbollistë bardhezi që kanë udhëtuar nëpër botë, për të përfaqësuar flamurin kombëtar, e trajneri Allegri mund të gëzohet vetëm për lënien jashtë të Paulo Dybala nga Argjentina.

Edhe Chiellini e Hoëedes mbeten te kampionët në fuqi të Serie A, pasi nuk iu përgjigjën dot thirrjes së kombëtareve, ndërsa më i vështirë duket rikthimi i shpejtë i Cuadrados dhe Bernardeschit.

Pritet gjithsesi një rotacion i kufizuar për ndeshjen me Milanin më 31 mars. Allegri e di se nuk mund të humbasë pikë në kampionat, edhe pse më 3 prill është Reali i Madridit në Champions.

As te Napoli nuk i duan pushimet e kombëtareve, pasi janë plot 10 lojtarë të ekipit jugor që kanë udhëtuar me përfaqësueset, mes tyre mbrojtësi shqiptar Elseid Hysaj. I fundit që grumbullohet është Mario Rui te Portugalia.

Ndërkohë, për napolitanët, Marek Hamsik nuk do të luajë me Sllovakinë për shkak të një dëmtimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA