Shembia e mbikalimit në Florida, 6 të vdekur dhe 10 të plagosur

16/03/2018 08:29

Bilanci i shembjes së një mbikalimi në Miami të Shteteve të Bashkuara është më i rëndë nga sa u mendua fillimisht.

Një sërë makinash u shtypën nën peshën e betonit, duke marrë të paktën 6 jetë njerëzish e duke plagosur 10 të tjerë gjatë incidentit të regjistruar pranë Universitetit ndërkombëtar të Floridës.

Struktura prej 53 metrash dhe 862 tonësh u rrëzua mbi një autostradë prej 8 korsish, duke zënë poshtë saj 8 automjetete.

Ajo ishte ngritur të shtunën e kaluar brenda vetëm 6 orësh, përmes një metode të quajtur “ndërtimi i përshpjetuar i urave”, me qëllimin të shmangej bllokimi i trafikut.

Dekani i Universitetit, Mark Rosenberg pretendon se institucioni i drejtuar prej tij ndoqi të gjitha procedurat e nevojshme për ngritjen e urës dhe theksoi se kontraktuesit janë të ceritfikuar nga shteti.

Por guvernatori i Floridës, Rick Scott, i cili ishte në vendgjarje mbrëmjen e së enjtes, e bëri të qartë se do të ketë një hetim të plotë mbi fatkeqësinë. “Nëse dikush ka gabuar, ai do të paguajë”, deklaroi Scott.

Situatën e ndoqi nga afër edhe senatori i Floridës, Marco Rubio, ish-rivali i Donald Trumpit në garën për nominimin republikan gjatë zgjedhjeve presidenciale. “Ne meritojmë ta dimë, publiku meriton ta dijë dhe familjet e të prekurve meritojnë ta dinë se çfarë nuk shkoi ashtu siç duhet”, deklaroi Rubio.

Vet Trumpi shkroi në “Twitter” se po e monitoron gjendjen pas incidentit që e përshkroi si tragjedi. Mbikalimin e kishin kërkuar prej kohësh studentët dhe stafi i universitetit, sepse ai duhet t’i ndihmonte të shmangnin trafikun e madh në zonë.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel