Koment nga Simon Tisdall, “The Guardian” – Kryeministrja britanike, Tereza Mej, s’mund të presë mbështetje të plotë nga BE e SHBA kundër Rusisë, dhe Putin e di këtë.
Politikanëve perëndimorë u është dashur shumë kohë që ta kuptojnë nivelin e vërtetë të kërcënimit që u kanoset nga Rusia e Vladimir Putinit. Disa në Partinë Laburiste të Britanisë nuk e kanë kuptuar ende. Tani që kryeministrja britanike, Tereza Mej, ka nisur një përballje të hapur me Moskën, duket qartë që do të nevojiten shumë vite për ta sheshuar përplasjen e shkaktuar nga ngjarja e Salisbërit.
Qoftë kjo luftë e ftohtë, e nxehtë, apo spiunazh i fshehtë, ka për të qenë luftë e gjatë dhe Britanisë i duhen të gjithë miqtë dhe aleatët e mundshëm për t’ia dalë mbanë me një kundërshtar të pamëshirshëm. Megjithatë, ka shumë dyshime nëse Britania do të marrë mbështetje të sinqertë, të mjaftueshme dhe në kohën e duhur.
Sigurisht që çështja nuk është vetëm te Salisbëri. Putini ka kohë që kalon shumë caqe, si në vendin e tij, ashtu edhe jashtë, dhe vazhdon t’ia hedhë pa u lagur qëkur erdhi në krye të vendit, në vitin 1999. Ai vuri emër duke zbatuar një fushatë mizore për paqen në Çeçeni, të cilën e shfajësonte nga bombat terroriste që viheshin nëpër apartamentet e rusëve. Aleksandër Litvinenko, i cili më pas u ekzekutua në Londër, fajësonte shërbimin sekret rus për këto bomba dhe vetë Putinin.
Që në atë kohë, i shtyrë nga perceptimi se mes vendeve të perëndimit ka përçarje dhe dobësim, Putini e ka përshkallëzuar sjelljen agresive. Ngjarjet më kryesore janë luftërat në Gjeorgji dhe Ukrainë, sulmet kibernetike kundër vendeve të NATO-s, ndërhyrja në zgjedhje, operacionet destabilizuese dhe angazhimi ushtarak në Siri.
Putini ka guxuar edhe më shumë për shkak të mbizotërimit që ka në politikën e vendit të tij, të arritur me manipulime zgjedhjesh e duke e kthyer parlamentin rus në një sekretari që thjesht vulos vendimet e udhëheqësit, si dhe duke asgjësuar opozitarë, kritikë dhe shtypin e lirë me mënyra nga më të ndryshmet. Boris Nemtsov, një reformator liberal, u vra në vitin 2015. Ana Politkovskaja, një gazetare investigative, u vra në vitin 2006. Këta janë vetëm dy nga emrat e një liste të gjatë, të cilës mund t’i shtohen së fundmi edhe Sergeji dhe Julia Skripal.
Pas këtyre veprimeve të Putinit fshihet ndjesia që Rusia bën përjashtim, sikur nuk ka detyrimet dhe ligjet ndërkombëtare të cilave u nënshtrohen vendet e tjera që nga viti 1945. Sjellja e Putinit i ka rrënjët në epokën kur Bashkimi Sovjetik ishte superfuqi, por origjina është edhe më e hershme. Carët rusë të shekullit të 19-të e kishin zili dhe e imitonin Europën. Por pas revolucionit të vitit 1917, Rusia u vendos si kundërshtare e perëndimit. Putini e ka ringjallur atë traditë.
Deri kohët e fundit, udhëheqësit perëndimorë kanë ngurruar t’i besojnë faktet që ndodhnin para syve të tyre dhe para syve të shërbimeve sekrete. Arsyet për këtë miopi nuk janë dhe aq të gabuara. Në njërën anë ekziston frika e shfajësuar se qasja e ashpër ndaj Putinit mund të çojë drejt një përballjeje ushtarake kundër një udhëheqësi të pasigurt e paranojak, i cili këtë muaj u mburr me arsenalin e frikshëm bërthamor të Rusisë.
Merren parasysh edhe pasojat diplomatike e strategjike. Rusia ka ndikim të madh në çështje të rëndësishme ndërkombëtare, si Koreja e Veriut dhe Irani. Janë në lojë interesa shumë të rëndësishme tregtie dhe biznesi. Pastaj është edhe thjesht vetëkënaqësia politike.
Ish presidenti amerikan Xhorxh .W Bush, tha se mund të shihte brenda shpirtit të Putinit, dhe aty kishte parë një vrimë të zezë. Barak Obama, më naiv, u përpoq të rimëkëmbë marrëdhëniet me Rusinë, por plani i tij u prish. Donald Trump, nga ana tjetër, ka marrë famën e keqe si një “putinofil”, por askush nuk e di me siguri pse.
Ndaj, kur Trump e garanton kryeministren britanike për mbështetje të palëkundur, Tereza Mej nuk duhet t’i marrë shumë seriozisht këto premtime.
Trump ende refuzon ta kritikojë Putinin në mënyrë të drejtpërdrejtë, si për përdorimin e armëve kimike në Siri, ashtu dhe për përpjekjet e fshehta për të manipuluar zgjedhjet në SHBA. Kjo tregon që udhëheqësi rus ka një lloj ndikimi të drejtpërdrejtë tek ai, që ndoshta lidhet me bizneset që Trump ka pasur dikur në Rusi. Më shumë dritë mbi këtë mund të hedhë hetimi federal i Robert Mullerit.
Gjermania, energjia e së cilës varet drejtpërdrejt nga Rusia (40% e importeve të naftës dhe 35% e importeve të gazit erdhën nga Rusia në vitin 2016), është qartësisht e cenueshme në rast të një përballjeje hipotetike. Franca ka gjithashtu interesa tregtare në lojë. Shumë në Itali po kërkojnë të heqin edhe sanksionet që BE vuri kundër Rusisë për Krimean, e kështu me radhë.
Prandaj, kur Trump e garanton Tereza Mejin për mbështetje të palëkundur, ajo nuk duhet t’i marrë këto fjalë shumë seriozisht. Trump flet shumë, por rëndësi ka se çfarë bën e se çfarë lë pa bërë. Deri tani ai e ka lënë Putinin të bëjë ç’të dojë. Ka refuzuar të vërë në zbatim sanksionet e Kongresit në lidhje me ndërhyrjen në zgjedhje. Deri tani e ka pranuar në heshtje pushtimin e paligjshëm të Krimesë nga Rusia. Deri tani, Trump ka qortuar dhe ka minuar vlerat e NATO-s, linja e fundit mbrojtëse për Britaninë. Deri tani, asgjë nuk duket mirë.
Dhe Britania duhet të bëjë kujdes kur presidenti francez, Emanuel Makron, flet për “solidaritet”. Kjo fjalë frënge aq e preferuar mund të nënkuptojë njëkohësisht shumë gjëra ose asgjë. I njëjti skepticizëm duhet pasur për mbështetjen e shprehur nga Brukseli dhe kryeqytete të tjera europiane. Europa nuk ka një histori të mirë kur vjen puna për t’u bashkuar pa kompromise e me veprime konkrete kundër sfidave ndërkombëtare. Mjafton të shikoni Sirinë. Europa flet shumë fjalë të mira, por rrallë bëhet pjesë e lojës. Dhe udhëheqësi që sheh duke buzëqeshur që nga Kremlini e di shumë mirë këtë.
Tereza Mej do ta ketë shumë të vështirë t’i bashkojë këta miq e partnerë në një aleancë të lidhur fort, aq sa të jetë e aftë ta detyrojë Putinin të ndryshojë sjellje. Tani situata bëhet edhe më e vështirë për shkak të Brexit-it. Do të gënjenim veten po të mendonim se largimi aspak miqësor i Britanisë nga BE-ja nuk ka për ta ndikuar bashkëpunimin në të ardhmen. Sigurisht, të gjithë janë dakord se ngjarja në Salisbëri është e tmerrshme. Por të bësh diçka konkrete për të ndihmuar britanikët që janë duke dalë nga BE-ja, është tjetër gjë.
Nëse vjen puna që gjërat të shtrëngohen, pak gjasa ka që Trump dhe Europa t’ia japin Tereza Mejit atë mbështetjen e madhe që do t’i nevojitet në përballjen me një nga udhëheqësit më të paskrupullt e më të rrezikshëm në botë. Kjo ka për të qenë luftë e gjatë, dhe jo vetëm me Rusinë.
Top Channel