NBA, Toronto fiton dhe ruan kryesimin në Lindje (Video)

14/03/2018 11:34

Toronto konsolidoi akoma më shumë vendin e parë në Konferencën e Lindjes në NBA dhe këtë e arriti pas fitores me Brooklyn 116-102.

Megjithatë, kjo përballje nuk ishte shumë e lehtë për skuadrën e Raptors, që për pjesën më të madhe të kohës e pa veten të ishte në ndjekje të Nets në rezultat. Gjithsesi, ajo që ka rëndësi për kanadezët është se ia dolën mbanë të kthejnë situatën në favorin e tyre, falë edhe Valanciunas që regjistroi një bilanc me 26 pikë e 14 topa në tabelë, ndërsa DeRozan e mbylli sfidën me 15 pikë, 7 topa në tabelë e 2 asist. Për Brooklyn, Russell shënoi 32 pikë, por që nuk e ndihmuan skuadrën e Nets në këtë sfidë.

Cleveland e pati shumë të lehtë përballjen me Phoenix, të cilin e mundi me rezultatin 129-107. LeBron James u bë sërish protagonist për skuadrën nga Ohajo me 28 pikë, 13 topa në tabelë e 11 asist. Mjaft mirë u paraqitën edhe Korver me 22 pikë e Clarkson me 23 pikë në 26 minuta. Për Phoenix, Warren shënoi 19 pikë e rrëmbeu 10 topa në tabelë, ndërsa Josh Jackson e mbylli sfidën me 19 pikë. Në këtë moment, Cleveland ndodhet në vendin e katërt në Konferencën e Lindjes, pas Indiana Pacers që mposhti Philadelphia 76ers me rezultatin 101-98.

San Antonio Spurs dominoi sfidën me Orlando Magic duke e fituar atë me rezultatin 108-72. Për skuadrën teksane në parket ishte Aldridge, i cili e mbylli ndeshjen me 24 pikë, ndërsa Mills shënoi 13 pikë. Në krahun tjetër, Orlando e pati të pamundur për të përballuar lojën e San Antonios, ndërkohë që gabimet e basketbollistëve të tij ishin të shumta. Këtë e tregon fakti se për Magic më i miri në parket ishte Vucevic me 10 pikë e po aq topa në tabelë. San Antonio edhe me këtë fitore vazhdon të jetë në vendin e 9 në Konferencën e Perëndimit, me 38 fitore e 30 humbje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA