Presidenti Trump e kishte shprehur prej muajsh dëshirën e tij për të pasur Mike Pompeon si Sekretar të Shtetit, ndërsa Shtëpia e Bardhë duket se i ka nisur planet për të që prej vjeshtës së vitit të kaluar.
Trump u irritua tej mase ndaj Tillersonit, pasi media zbuloi se kryediplomati e kishte quajtur presidentin “një idiot që nuk tërhiqet kurrë”, e shumëkush në Shtëpinë e Bardhë e konsideroi këtë diferencë të thellë mes tyre si të papajtueshme.
Tillersonit nuk i mbetën veçse shumë pak, në mos asnjë aleat, në Shtëpinë e Bardhë. Edhe pse shefi i stafit presidencial, John Kelly ishte në krah të tij fillimisht kur mori detyrën, ai nisi tërheqjen nga mbrojtja e tij veçanërisht pas epitetit “idiot”, që Kelly e konsideroi si mosbindje nga ana e Tillersonit.
Por përse zgjodhi ta shkarkonte tani diplomatin e ta zëvendësonte atë me shefin e CIA-s? Burime pranë presidentit kanë thënë për CNN se tashmë ishte e qartë se Tillerson nuk e mbështeste më Trumpin. Ata thonë se kryediplomati i shkarkuar donte ta menaxhonte politikën e jashtme në mënyrën e tij, pa presidentin.
Me interes të veçantë është pikërisht fakti se përse zgjodhi këtë moment. Vetëm një javë më parë u mësua se presidenti Trump kishte rënë dakord të takohej me diktatorin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un. Këto bisedime, nëse ndodhin vërtet, do të ishin të parat mes një presidenti amerikan në detyrë dhe një udhëheqësi të vendit komunist. Ato pritet të mbahen në maj, sipas këshilltarit për Sigurinë Kombëtare të Koresë së Jugut, Chung Eui-yong.
Por çfarë thoshte Tillerson mbi këtë takim? Të premten ai deklaroi se vendimi i Trumpit për t’u takuar me Kim Jong-unin “nuk ishte ndonjë surprizë”. Ky cilësim erdhi pikërisht pak orë pasi Sekretari i Shtetit ishte shprehur se nuk ishin pjekur ende kushtet për negociata me Korenë e Veriut.
Duke folur me reporterët gjatë turit të tij njëjavor në Afrikë, Tillerson shpjegoi se kthesa e papritur, nëse mund të quhet kështu, ishte “një vendim i marrë nga vet presidenti”, pasi e kishte pasur këtë çështje “në mendje prej disa kohësh”. Zhvillimi erdhi pas një ndryshimi “thellësisht dramatik” të qëndrimit të Kim Jong-un, shtonte ai. Po atë ditë, javën e kaluar, Trump i kishte kërkuar Tillersonit të dorëhiqej.
Trump ka pranuar se nuk ka biseduar me Tillersonin për Korenë e Veriut. “E mora vet vendimin”, u tha reporterëve pak minuta pas lajmit për shkarkimin e Sekretarit të Shtetit. E përpara se të largohej nga selia presidenciale për në Kaliforni, ai konfirmoi se me Rex Tillerson “ka shkuar mirë”, por kanë pasur mendime të ndryshme për disa çështje, mes të cilave edhe marrëveshja me Iranin, që ai vet e konsideron të tmerrshme. “Nuk mendonim njësoj bashkë. Me Pompeon po, kam pikëpamje të njëjta për të vijuar procesin”, shtoi ai.
Ndërkohë, nënsekretari për Diplomacinë Publike, Steve Goldstein zbulon se Tillerson do të donte të qëndronte.
“Sigurisht që këtë synim ka pasur, sepse ka bërë një progres të konsiderueshëm në sigurinë kombëtare – tha Goldstein. – Atij do t’i mungojnë kolegët në Departamentin e Shtetit dhe ministrat e Jashtëm me të cilët ka punuar anembanë botës”.
Goldstein shtoi se Tillerson nuk flet me presidentin Trump, por pa e ditur arsyen. “Sekretari nuk fliste me presidentin prej pak kohësh, por nuk i di shkaqet. Ai është mirënjohës për mundësinë që iu dha për të shërbyer dhe beson se shërbimi publik është një detyrë fisnike. Ai i uron gjithë të mirat të nominuarit për kryediplomat, Pompeo”.
Top Channel