Forcat turke “rrethojnë” qytetin e Afrinit në Siri

13/03/2018 11:17

Ushtria turke dhe rebelët aleatë kanë rrethuar rajonin e Afrinit në veri të Sirisë, sipas asaj që kanë njoftuar Forcat e Armatosura turke të martën, duke shënuar një përparim të rëndësishëm në ofensivën turke kundër luftëtarëve kurdë rreth kufirit jugor.

Turqia ka nisur operacionin e saj në veri të Sirisë rreth dy javë më parë, me qëllim largimin e kurdëve të Sirisë nga kufiri turk.

Turqia i konsideron anëtarët e Njësiteve për Mbrojtjen e Popullit (YPG) si terroristë dhe të lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

“Forcat e Armatosura kanë rrethuar Afrinin dhe kanë pushtuar ‘zonat me rëndësi kritike’ në këtë rajon”, ka njoftuar ushtria përmes një deklarate.

Një zëdhënës i qeverisë turke ka thënë se Forcat e Armatosura kanë fituar kontrollin e më shumë se gjysmës së zonës dhe kanë premtuar se do të pastrojnë vendin nga militantët.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë javën e kaluar se, forcat turke kanë rrethuar Afrinin dhe janë afruar në qytet, mirëpo një zëdhënës i “YPG”-së ka kundërshtuar më vonë një gjë të tillë, duke thënë se rajonet që pretendohet të jenë nën kontrollon turk janë ende zona luftimesh.

Që nga fillimi i ofensivës, Turqia ka kërcënuar kalimin e operacionit ushtarak në Manbij, për të larguar kurdët e Sirisë nga gjatësia e kufirit të saj. Kërcënimet e vazhdueshme të Turqisë për ta kaluar operacionin në Manbij kanë shkaktuar përplasje me Shtetet e Bashkuara, të cilat e kanë mbështetur “YPG”-në në luftimet kundër grupit xhihadist të Shtetit Islamik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA