Bashkimi Europian nuk do t’iu frikësohet atyre që i quajti “të fortët e proteksionizmit”. Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, mbi tarifat që presidenti amerikan Donald Trump vendosi ndaj importeve të çelikut dhe aluminit, janë të larta, e këtë e tregoi qartë deklarata e fundit e Komisioneres për Tregtinë, Cecilia Malmstrom.

Pas diskutimeve të zhvilluara në fundjavë me përfaqësuesin amerikan të tregtisë, Robert Lighthizer, Malmstrom tha gjatë një konference në Bruksel se proteksionizmi po përdorej si armë për të kërcënuar dhe frikësuar Bashkimin Europian.

“Në disa vende, tregtia është fajësuar për të metat e globalizimit. Së fundmi po shohim sesi po përdoret si armë për të na kërcënuar dhe frikësuar. Por, ne nuk kemi frikë, do t’i bëjmë ballë ‘të fortëve’ të proteksionizmit”, tha Cecilia Malmstrom.

Njoftimi i Donald Trumpit për të tarifuar me 25 për qind importet e çelikut dhe 10 për qind ato të aluminit ka ngjallur frikën e një lufte tregtare.

Bashkimi Europian kërkon që të përjashtohet nga masat, ashtu si Kanadaja dhe Meksika, ose në të kundërt kërcënon të vendosë tarifa ndaj importeve të produkteve amerikane, të tilla si “whiskey” dhe xhinset.

Australia është optimiste se do t’iu shpëtojë tarifave, por Trump e ka lidhur këtë me një marrëveshje të re sigurie me dy vendeve. Tarifat kundërshtohet edhe nga pjesëtarë të Partisë Republikane të Trumpit, të cilët tradicionalisht kanë favorizuar tregtinë e lirë.

Kancelarja Angela Merkel paralajmëroi se askush nuk do ta fitonte garën deri në fund dhe se tarifat rrezikonin të dëmtonin këdo.

Top Channel