Ai ishte një nga lojtarët me performancën më të mirë për Interin, në sfidën e një nate më parë ndaj Napolit në Serie A, e përfunduar me rrjeta të paprekura.
Por Marcelo Brozoviç duket se është tronditur nga disa thashetheme, siç i cilëson ai, që janë shpërndarë ditët e fundit “online” e që kanë zënë edhe titujt kryesorë të shumë medieve sportive italiane, që përfshijnë edhe Wanda Narën, bashkëshorten e shokut të tij të skuadrës, Mauro Icardi.
Përmes avokatit të tij, mesfushori kroat i zikaltërve “konteston dhe hedh poshtë në mënyrë absolute njoftimet false të ditëve të fundit”.
Avokati Danilo Buongiorno ka shpjeguar se “nuk ka pasur kurrë ndonjë marrëdhënie, apo çfarëdolloj gjëje tjetër, mes Brozoviç dhe zonjës Nara”, teksa ka shtuar se “Brozoviç kërkon të sqarojë personat përgjegjës që kanë hedhur dyshime mbi korrektesën e tij morale dhe profesionale”, përveç faktit se ka ngritur edhe padi tashmë ndaj tyre.
“Shumë njoftime false kanë dalë nga disa regjistrime anonime audiosh, që janë marrë e publikuar edhe nga mediet dhe disa gazeta pa marrë mundimin më të vogël për të verifikuar vërtetësinë e burimit, por janë shpifje, të paligjshme dhe të dëmshme për imazhin e lojtarit”, thekson avokati.
“Për më tepër, shpërndarja e paligjshme e një njoftimi të tillë ka marrë përmasa ndërkombëtare, veçanërisht në të gjithë Europën, por edhe në vendlindjen e tij Kroaci, me pasoja të rënda dhe shqetësim të thellë për vet lojtarin, bashkëshorten e tij dhe familjarë të tjerë”.
Në fund, avokati thekson se lojtari, për të rivendosur reputacionin e tij në vend, po vepron në rrugë civile e penale, duke dorëzuar paditë e tij.
Top Channel