I ftuar në Forumin e Tiranës për Lirinë Ekonomike, organizuar nga Instituti Europian Pashko, kryedemokrati Lulzim Basha pohoi se në gjykimin e tij, 5 vitet e fundit kanë qenë të humbura për ekonominë e vendit.
Këtë, sipas tij, e tregon mungesa e investimeve të huaja në Shqipëri. Një panoramë kjo në kontrast me vendet e tjera të Ballkanit, thekson Basha: “Nuk ka patur asnjë investim të ri të huaj në 5 vite. Ndërkohë që në rajon, qeveria serbe jep 9.5 milionë euro të taksapaguesve serbë si nxitje për investimin”.
Basha akuzoi qeverinë se jo vetëm nuk i ka qëndruar premtimit për të ulur borxhin publik, por e ka rritur atë përmes formulës së Partneritetit Publik Privat: “Kjo qeveri të kishte ulur borxhin publik të paktën. E ka rritur dhe vazhdon që ta rrisë. Mburren me uljen e euros, duke thënë se kanë ulur borxhin”.
Walter Glos, drejtor i Fondacionit “Konrad Adenauer”, drejtoi gishtin nga klientelizmi që krijohet për shkak të lidhjeve mes politikës dhe ekonomisë: “Politizimi i marrëdhënies mes shtetit dhe komunitetit të biznesit ishte hapi i parë në drejtimin e gabuar, që shtroi rrugën për korrupsionin, duke krijuar parakushtet për proliferimin e keqqeverisjes, siç janë klientelizmi dhe monopolizmi. Në shumë raste, marrëdheniet financiare për fushatat zgjedhore janë investuar hapur si qasje direkte të influencës politike. Kjo ka deformuar shumë principe të ndryshme të lirisë ekonomike, siç janë mundësitë e barabarta, shteti i së drejtës dhe transparenca. Për këto arsye, ligji për transparencën financiare dhe të financimit të partive politike do të ndihmonte në vendosjen e një marrëdhiejeje të ndershme mes palëve”.
Në këtë forum kushtuar derregullimit të tregjeve, ishte ftuar edhe zv/kryeministrja Senida Mesi, por organizatorët pohuan se përmbytjet në Shkodër i kishin pamundësuar asaj pjesëmarrjen.
Top Channel