Seanca dëgjimore për dënimin e Martin Shkrelit nisi këtë të premte me lutje për lehtësimin e dënimit nga avokati i tij mbrojtës, por ish-shefi ekzekutiv i një kompanie barnash mjekësore që zuri titujt e parë të medieve ndërkombëtare për rritjen e çmimit të një ilaçi, përpara se të shpallej fajtor për mashtrimin e investitorëve, dënohet me 7 vite burgim.
Shkreli, 34 vjeç, u shfaq i penduar përpara gjykatëses amerikane Kiyo Matsumoto, në Gjykatën Federale në Brooklyn të Nju Jorkut. Avokati i tij u kërkoi gjyqtarëve të vendosnin një ndëshkim prej 12-18 muajsh, ndërkohë që prokurorët kërkuan të paktën 15 vite burg.
“E kam ngritur zërin për ulje dënimi”, tha avokati i Shkrelit, Benjamin Brafman, përpara trupës gjyqësore. Ai shtoi se Shkreli vuan nga depresioni dhe çrregullime ankthi dhe se është një person “thuajse i shkatërruar”, të cilin qeveria po kërkon ta “flakë tutje”.
Prokurori amerikan Jacquelyn Kasulis tha se dënimi me 15 vite është i justifikuar pjesërisht, sepse krimet e Shkrelit nuk përbënin një “gabim të izoluar në gjykim”, por një “model sjelljeje” me disa raste mashtrimi të ndara për dy fondet piramidale të tij dhe për kompaninë e barnave “Retrophin Inc.”.
Shkreli “duket se nuk e kupton qartësisht përse ndodhet këtu, përmasat e krimeve që ka kryer dhe nuk ka respekt të çfarëdolloji për ligjin”, tha Kasulis.
Sipërmarrësi i lindur në Brooklyn u bë i njohur te “Pharma Bro” në shtator të vitit 2015, pasi kishte themeluar “Turing Pharmaceuticals”, duke blerë ilaçin antiparazitar “Daraprim” dhe duke ia rritur çmimin me 5.000 për qind, deri në 750 dollarë për kapsulë.
Shkreli u dënua mbi akuzat e mashtrimit me letrat me vlerë në dhjetor të vitit 2015. Por, në seancën dëgjimore, ai la të kuptohej se “kishte mësuar nga gabimet e tij”.
“Nuk ka asnjë komplot për të flakur tutje Martin Shkrelin. Isha unë që e shkatërrova Martin Shkrelin me veprimet e mia të fëlliqura dhe të turpshme”, tha vet ai.
Top Channel