Rusia tha se nuk ka asnjë informacion mbi atë që mund të ketë shkaktuar problemet shëndetësore të ish-agjentit të dënuar si spiun i Britanisë së Madhe.

Megjithatë Kremlini thotë se është i gatshëm të bashkëpunojë në hetimet policore. Policia britanike po përpiqet të identifikojë substancën që çoi në gjendje kritike për jetën 66-vjeçarin Sergei Skripal, i cili siguroi të drejtën e qëndrimit në Britani mbi bazë të një marrëveshjeje me Moskën për shkëmbimin e spiuneve.

Në gjendje të rëndë është edhe një grua 33-vjeçare. Dy personat u gjetën pa ndjenja në stolin e një qendre tregtare ditën e diel.

Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus Vladimir Putin u tha gazetarëve se Moska ishte përgatitur të ndihmonte në hetime.

“Ne po ndjekim zhvillimet tragjike, por nuk kemi asnjë informacion mbi atë që mund t’i ketë shkaktuar”, tha ai në një deklaratë. Policia e Wiltshire tha se çifti ishte gjetur në qendrën Maltings në Salisbury, pa lëndime të dukshme. Siç bëhet e ditur rasti po trajtohet si ekspozim i mundshëm ndaj një substance të panjohur.

“Po punojmë me partnerë për të zbuluar diagnozën dhe për të mundësuar që viktimat të marrin trajtimin e nevojshëm në kohë”, tha policia. Në hetim janë përfshirë agjenci të ndryshme. Nëse do të jetë e nevojshme rasti mund të merret përsipër nga departamenti i antiterrorizmit.

Sergei Skripal një ish-zyrtar i inteligjencës ruse i dalë në pension u burgos me 13 vjet burg nga Rusia në 2006-tën. Ai u dënua për zbulimin e identiteteve të agjenteve ruse që vepronin në Europë, për shërbimet sekrete britanike.

Top Channel