Rudina 30 vjeçe, nga Laçi kishte dëgjuar se në Tiranë shiteshin diploma. Përmes një të njohuri që është shpallur në kërkim si ndërmjetësues, vajza parapagoi 1 mijë euro.
Këtë të hënë, në një lokal në Tiranë Rudina pagoi edhe shumën tjetër prej 1500 euro si kusht për të marrë diplomën që e njeh atë si juriste.
Sipas prokurorisë, shuma iu dorëzua ish pronarit të universitetit “Kristal”, mbyllur katër vite më parë.
Ahmet Muçaj është arrestuar menjëherë sapo ka shkëmbyer diplomën me shumën e parave. Vepra për të cilen 69-vjeçari do të hetohet më tej është ajo e korrupsionit pasiv në sektorin privat.
Një burim i tha Top Channel se shtetasja me të dhënat Rudina F., konsiderohet tashmë një bashkëpunëtore e drejtësisë përderisa ka ndihmuar autoritetet që të zbulojnë se si po shpërndahen diploma nga një universitet që nuk ekziston, për sa kohë i është hequr licenca në vitin 2014 dhe dyert e tij janë të mbyllura.
Bëhet e ditur në rruge jo zyrtare se prokurorët e kryeqytetit po hetonin skemën e shpërndarjes së diplomave false prej muajsh. Kishte dyshime që persona të caktuar nga universiteti i mbyllur, kanë pajisur disa qytetarë me diploma që përkojnë me kohën kur Kristali ishte hapur. Në këtë kohë është rënë në gjurmët e vajzës që sapo kishte dorëzuar shumën paradhënie në fillim të këtij viti.
Prokurorët kanë kërkuar bashkëpunimin e studentes së rremë e cila ka pranuar të infiltrohet. Siç rezulton nga kqyrja e diplomës së sekuestruar, në dokument janë regjistruar të dhëna të dyshimta. Në diplome shkruhet se studentja që nuk ka qenë asnjë ditë në auditor është regjistruar si studente e juridikut në vitin 2010, ndërsa është diplomuar në 11 shtator 2013, pikërisht pak muaj përpara se universiteti të mbyllej.
Pavarësisht se prokurorët kanë dyshime se firma e ish dekanit Arben Lloja është falsifikuar, për të konfirmuar pistat e hedhura do t’i kërkohen ministrisë së Arsimit regjistrat e dorëzuar nga universiteti menjëherë pas mbylljes.
Top Channel