Ndihma financiare për bujqësinë, Veliaj angazhon administratorët të nxisin fermerët

02/03/2018 14:47

Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe drejtoresha e AZHB-së janë takuar me fermerë të Tiranës për t’i prezantuar skemën kombëtare për mbështetjen e bujqësisë dhe blegtorisë.

“Është hera e parë që ne ofrojmë këtë mundësi kështu që ju inkurajoj që të aplikoni pranë zyrës së Bujqësisë në Tiranë”, thotë Frida Krifca, drejtoreshë e AZHBR-së.

Janë gjithsej 2.6 miliardë lekë që do u vihen në dispozicion fermerëve të cilët duhet të aplikojnë me diet e tyre .

“Kemi deri në datën 28 mars që çfarëdo ideje të keni pasur, për ta kthyer shtëpinë në një bujtinë, për ta shtuar arën dhe për të mbjell diçka që subvencionohen, për të mbjellë pemë, qofshin këto arra, shegë, ullinj etj, për të rritur kapacitet e blegtorëve”, tha kryetari i bashkisë Erion Veliaj.

Për të informuar të gjithë fermerët kryetari i bashkisë ka angazhuar administratorët e njësive administrative

“Nga kjo fundjavë dua një kalendar të gjithë prezantimeve që do të bëjmë në të gjitha njësitë administrative, ish-komunë, secilës javë nga secila njësi sa veta kanë shkuar për aplikim. Pastaj është detyra ime që ta çmend Fridën. Frida, shoqe, erdhën aplikimet, na sill lekët tani që këta të shkojnë të bëjnë punën”, tha Veliaj.

Kryetari i bashkisë i ka nxitur fermerët të bëjnë sa më shumë aplikime me qëllim që të zhvillohet bujqësia dhe blegtoria dhe produktet e tyre të kthehen në markë siç njihen sot produkte e Shëngjergjit apo Baldushkun.

Top Channel