Organet greke të Rendit në Selanik konfirmojnë se është djegur, pas shpërthimit të një bombe artizanale, makina që i përket nënkonsullit të Selanikut, Renaldo Andoni.

Automjeti ka qenë i parkuar në rrugën “Psaron” të lagjes “Ano Tumba” në Selanik, pranë shtëpisë së tij. Ngjarja ka ndodhur në orën 2:30 të mëngjesit të kësaj të hëne.

Çështjen e kanë marrë në duar organet e policisë, që kanë hapur edhe një hetim përkatës.Të pyetur për Top Channel, burimet policore nuk kanë përjashtuar asnjë pistë, ndërsa për momentin nuk ka asnjë deklaratë që të marrë përsipër këtë akt.

Gjithsesi ka dyshime se ngjarja mund të lidhet edhe me grupe tifozësh të ekipit të PAOK-ut të Selanikut, të cilët janë indinjuar të dielën në mbrëmje, pasi është anuluar ndeshja midis PAOK-ut dhe Olympiacosit, e ngjarja ka ndodhur shumë pranë stadiumit.

Nuk është hera e parë që automjetet e Konsullatës shqiptare bëhen objekt në qytetin e Selanikut. Edhe në vitin 2009, persona të panjohur kanë vendosur bomba artizanale në dy automjete, prej të cilave njëri ishte i konsullatës dhe tjetri ishte mjet personal i një prej nëpunësve të kësaj konsullate.

FOTO GALERI
3/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA