Edhe pse trokitja e gotave të 10-vjetorit të Pavarësisë i shtendosi marrëdhëniet mes dy kryeministrave, Ramush Haradinaj dhe Edi Rama, pas komenteve të këtij të fundit për Demarkacionin me Malin e Zi, kreu i ekzekutivit të Kosovës i është rikthyer sërish çështjes.
“I kam thënë vëllait tim Edi Rama në bisedë se, ne mund t’i shesim mend njëri-tjetrit sa të duam, t’i japim ide e t’i tregojmë sesi t’i bëjmë punët e shtëpisë. Por, Edi Rama e ndihmon më së miri Kosovën duke e zhvilluar fort Shqipërinë. Nëse do të kishte qenë Shqipëria anëtare e BE-së sot, ah sa mirë do të kishte qenë për neve, sepse do t’u kishim vënë kushte atyre të tjerëve. Duke u thënë se, pa u sjellë mirë me Kosovën, nuk ecën kush përpara”, është shprehur Haradinaj.
Disa ditë më parë, kryeministri shqiptar deklaroi se problemi me përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi ishte një ide e shpikur nga politika e brendshme e Kosovës, duke nxitur reagimin e homologut nga Kosova, i cili i kërkoi atij të merrej me punët e Shqipërisë.
Ndërkohë, seanca e votimit të marrëveshjes së Demarkacionit pritet të mbahet të enjten, më 22 shkurt, në orën 11.
Top Channel