Gatishmëria e qeverisë malazeze për të rishqyrtuar marrëveshjen kufitare të vitit 2015 me Kosovën duket se ka marrë sulme edhe nga brenda vendit fqinj, duke u konsideruar si “shitje”. Grupi kryesor i opozitës në Malin e Zi, “Fronti Demokratik” e akuzon qeverinë për tradhti.
Qeveria properëndimore e Malit të Zi ra dakord me qeverinë e Kosovës që të krijojnë grupe pune të përbashkëta “për të korrigjuar nëse është e nevojshme” vijën kufitare, për të cilën është rënë dakord më herët mes dy vendeve, marrëveshje që është ratifikuar gjithashtu nga Parlamenti malazez.
“Fronti Demokratik”, grupi opozitar proserb, e ka akuzuar kryeministrin Dusko Markoviç për “dhënien vullnetarisht të një pjese të territorit të vendit, Kosovës”.
Njëri prej drejtuesve të këtij fronti, Nebojsa Medojeviç zgjodhi “Twitter”-in për t’u ankuar se asnjë nga partitë parlamentare, organizatat joqeveritare properëndimore, apo universiteti shtetëror nuk kishin reaguar, pasi një pjesë e territorit malazez i dhurohet shtetit të Kosovës.
“Askush nuk reagoi, përveç Frontit Demokratik. Të tjerët janë gati për tradhti”, shkruan Medojeviç.
Të premten, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi lëshoi një deklaratë të përbashkët me homologun e Malit të Zi, Filip Vujanoviç, lidhur me çështjen e diskutueshme të shenjimit të kufirit, duke thënë se të dyja vendet kishin rënë dakord të punonin së bashku për identifikimin e pikave të mosmarrëveshjes.
Thaçi foli për formimin e një grupi të përbashkët pune me Malin e Zi, i cili do të identifikojë mosmarrëveshjet mbi kufirin dhe do të bëjë korrigjimet e nevojshme në Çakorr, maja e diskutueshme malore në kufi.
Top Channel