Peshkopi i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiç ka kundërshtuar idenë e ndarjes së Kosovës, me argumentin se, nëse do të realizohej diçka e tillë, të gjithë do të ishin humbës.
“Nëse ka një zgjidhje për statusin e Kosovës, sigurisht që ajo nuk është ndarja. Të gjithë e dimë se shumica e serbëve nuk jetojnë në veri të Kosovës, por në pjesën jugore të Kosovës, e cila është kryesisht e banuar nga shqiptarët. Atje janë edhe faltoret më të rëndësishme ortodokse serbe. Kisha Serbe kundërshtoi vazhdimisht ndryshimin e kufijve të pranuar ndërkombëtarisht të Serbisë”, shprehet Janjiç.
Sipas tij, ndarja e Kosovës do të hapte “kutinë e Pandorës” dhe do të nxiste një efekt domino në të gjithë Ballkanin, me pasoja të tmerrshme për të gjithë.
“Në vend të lojës me jetën e dhjetëra mijëra njerëzve të pafajshëm, zgjidhja për problemet aktuale në Kosovë duhet të kërkohet me dialog dhe në bazë të së drejtës ndërkombëtare, të inkurajohet bashkëpunimi, pajtimi dhe respektimi i të drejtave të njeriut dhe trashëgimisë”, shton më tej ai.
Sipas peshkopit të Manastirit të Deçanit, në rast ndarjeje do të humbasin të gjithë, kurse përfitimet do të ishin të mjerueshme për cilindo.
Top Channel