Sidrit Guri dhe Rustem Hoxha janë heronjtë e përmbysjes kuksiane në “Selman Stërmasi”, duke përfituar edhe nga inferioriteti numerik i Partizanit, pas ndëshkimit me karton të kuq të serbit Culum.
Dueli i ashpër mes kampionëve në fuqi të Kukësit dhe “demave të kuq” të kryeqytetit, në kërkim të tri pikëve që do t’i katapultonin secilin prej tyre në vendin e tretë, përfundoi në favorin e të besuarve të trajnerit austriak Pacult.
Ndonëse ishte Partizani që kaloi i pari në avantazh në fundin e pjesës së parë, me golin e shënuar nga Gojkoviç, në 45-minutat e dyta, mbrojtësi serb Culum u ndëshkua për herë të dytë dhe u largua para kohe nga fusha e lojës.
Superioritetin numerik e shfrytëzuan më së miri verilindorët, që shënuan dy herë me kokë nga goditjet e këndit, fillimisht me Gurin e më pas me Hoxhën, për të rrëmbyer një fitore që vendos në “ujëra të qeta” ekipin e Kukësit, që kohët e fundit nuk po gjente qetësinë dhe rezultatet e duhura.
Në minutat shtesë, edhe Elis Bakaj do të linte fushën pas ndëshkimit me të kuq, por ky nuk do të ndikonte për keq në rezultat, përkundrazi bëri që Partizani të hidhej në sulm e të pësonte golin e tretë me kundërsulm në minutën e 6 shtesë, nga 5 që u dhanë.
Top Channel